Sport

Apple shpreh interesim për ta blerë Manchester United


Kompania më e madhe e teknologjisë në botë, Apple, ka shprehur interesim për ta blerë klubin e Manchester United.

United doli në shitje nga pronarët, familja Glazer, këtë javë dhe blerësit e mundshëm tani kanë filluar të shprehin interesin e tyre.

Kompania Apple është deri tani kompania më e madhe e teknologjisë në botë, me të ardhura vjetore prej gati 400 miliardë funtesh.

Nëse Apple do të përfundonte blerjen, besohet se United do të bëhet klubi më i pasur në futboll.

Familja Glazer mendohet se po kërkon më shumë se 5 miliardë funte për të shitur klubin.

Avram Glazer tha: “Siç njoftuam dje, bordi kaloi një proces dhe ka vendosur që do të shikojë alternativa të ndryshme strategjike dhe kjo është ajo që ne po bëjmë”.

Është raportuar se CEO i Apple, Tim Cook është duke eksploruar mundësinë e zotërimit të United dhe mundësitë që mund të ofrojë.

Cook besohet gjithashtu se po planifikon një stadium të ri të nivelit të lartë për të zëvendësuar “Old Trafford” që do të bëhet më i miri në botë.

Të martën, pronarët e klubit lëshuan një deklaratë zyrtare ku thuhej: “Manchester United, një nga klubet sportive më të suksesshme dhe historike në botë, njofton sot se Bordi i Drejtorëve të Kompanisë po fillon një proces për të eksploruar alternativat strategjike për klubin”.

“Procesi është projektuar për ta rritur klubin në të ardhmen, me qëllim përfundimtar të pozicionimit të klubit për të përfituar nga mundësitë si në fushë ashtu edhe jashtë saj”.

Mediat në Angli shkruajnë që si pjesë e këtij procesi, Bordi do të marrë në konsideratë të gjitha alternativat strategjike, duke përfshirë investimet e reja në klub, një shitje ose transaksione të tjera që përfshijnë Kompaninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore