Lajme

“Aleanca për Shqiptarët pjesë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut”


Aleanca për Shqiptarët

Qeveria e Maqedonisë së Veriut me shumë gjasë do të zgjerohet edhe me një parti tjetër shqiptare.

Nga burime brenda partisë, Klan Macedonia ka mësuar se Aleanca për Shqiptarët do të jetë partneri më i ri qeverisës së LSDM-së dhe BDI-së.

Me zgjerimin e koalicionit qeveritar, përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët do të udhëheqin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Gjithashtu, Aleanca për Shqiptarët mund ta marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe sipas marrëveshjes së arritur, do t’i takojnë edhe 30 drejtori.

Arben Taravari

Ndryshe, në mediat lokale u raportua gjatë javës se kryeministri Dimitar Kovaçevski kishte ftuar në Qeveri ushtruesin e detyrës së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për t’iu ofruar shqiptarëve që të jenë partnerë të qeverisë.

Mirëpo, Taravari pas takimit mohoi pretendimet e mediave se Aleanca për Shqiptarët do të futet në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Ai deklaroi se ende nuk kanë marrë ofertë për t’u bërë partnerë në qeverisje dhe as nuk kishin biseduar për këtë mundësi.

“Në rast se marrim një ofertë serioze, do ta shqyrtojmë dhe analizojmë sepse një vendim të tillë duhet ta marrin organet e partisë. Nuk kemi marrë ofertë për hyrje në Qeveri”, theksoi ai.

Sipas tij fokusi i bisedës kishte të bënte vetëm me integrimin e RMV-së në Bashkimin Evropian.

“Në vazhdën e takimeve, konstatuam se rruga evropiane e Maqedonisë patjetër të vazhdoj. Ne si Aleancë do të jemi mbështetës të këtij procesi, biseduam dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.

Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, përfaqësohet nga 8 deputetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore