Konjufca konfirmon raportimet e Albanian Post: Propozimi franko-gjerman ka një njohje “de facto”
Me 24 tetor Albanian Post, mbështetur në burime ndërkombëtare, raportoi se propozimi “tashmë i ngurtësuar” franko-gjerman për zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, përveç kryeministrit, Albin Kurti, u është shpalosur edhe presidentes Vjosa Osmani e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Shtatë ditë më vonë, Konjufca e ka konfirmuar se e ka parë propozimin dhe se ai, ashtu siç e kishte prezantuar Albanian Post me 18 shtator, përmban një njohje “de facto” për Kosovën nga ana e Serbisë.
“Aty duket se ka një propozim që të ketë një njohje ‘de facto‘ e shtetit të Kosovës. Gjithçka që prodhon Kosova: dokumentacioni, doganat, kufijtë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në reprezentimin e jashtëm të Kosovës, anëtarësim nëpër organizata, krejt këto të pranohen nga ana e Serbisë”, theksoi Konjufca në një prononcim për T7.
Megjithatë, kreu i legjislativit theksoi se insistimi i Kosovës që marrëveshja finale me Serbinë ta ketë njohjen reciproke në qendër është realist.
“Nëse është një propozim në të cilin nuk përfshihet edhe nota verbale e shtetit serb në raport me shtetin e Kosovës, atëherë do të ishte më pak se synimet tona të cilat s’i quajmë maksimaliste, por optimale, sepse optimale është diçka që është realiste, e realiste është që Serbia ta pranojë shtetin e Kosovës”.
Albanian Post me 18 shtator pati publikuar “kornizën e re” të dialogut Kosovë-Serbi në të cilën thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.
Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.
“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.
Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.
Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.
Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.
Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Ahmeti për Mickoskin: Gjuajti me fishekzjarrë, unë me top dhe s’ka më të shtëna
-
Mbytja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, Balla: RENEA vijon kërkimet, dyshime të forta për dhunë në familje
-
Zgjedhjet Evropiane, dilema e Melonit mes PPE dhe Salvinit
-
Pahor: Jam duke u përgatitur për ta udhëhequr dialogun – kandidatura dorëzohet gjatë javës në Bruksel