Kosova

Përfundon vizita ish-presidentëve shqiptarë në Hagë, Pacolli: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen pa faj


Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka treguar se e ka përfunduar vizitën në Hagë i shoqëruar nga ish-presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe deputeti dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.

Ai ka theksuar se i kanë vizituar ish-drejtuesit e UÇK-së që po mbahen në paraburgim si të akuzuar për krime lufte.

“Qëllimi i kësaj vizite ishte solidarizimi me udhëheqësit e UÇK-së që tani po mbahen pa faj në paraburgim dhe mbështetjes se tyre në përballjen me padrejtësinë që po u bëhet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Po ashtu gjatë muajit maj edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Aktakuza

Më 26 tetor të vitit 2020, në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Aktakuza pretendon se ish-krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e supozuara të luftës së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së. Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit u referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore