Lajme

Krasniqi: Unë e di çfarë do Kurti, por nuk do ta lejoj


Memli Krasniqi ne Kuvend

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se mbase do ta pezullojnë grevën nga 3 tetori që fëmijët të kthehen në shkolla e qeverisë t’i jepet hapësirë për reflektim, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se shpreson shumë që kjo të ndodhë, por, për të, greva tashmë e ka ekspozuar fare keq qeverinë dhe vetë kryeministrin Albin Kurti.

“Për Kurtin”, tha Krasniqi në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, “s’janë me rëndësi as nxënësit e as mësimdhënësit”.

“Ai mendon veç për fundin, pa i llogaritur pasojat”, tha lideri i opozitës.

“Ai nuk e sheh politikën si përmbushje te politikave, por të egos së tij”, shtoi Krasniqi.

Kryetari i PDK-së ka kujtuar se qysh kur filloi problemi me grevën iu lutën qeverisë të gjejë zgjidhje dhe i ofruan ndihmë, por ishte e kotë.

“Kryeministri ka vazhduar me logjikën e konfrontimit, derisa unë kam folur për nevojën e kompromisit. Kam kërkuar që çështja të trajtohet si problem specifik, ne kemi dashur edhe të ndihmojmë, veç të trajtohet zgjidhja, se lavdi politike nuk ka prej kësaj pune”.

Albin Kurti

Krasniqi deklaroi edhe se “problemin që kërkon zgjidhje”, Kurti “e ka shndërruar në zgjidhje të tij për problemet me të cilat ballafaqohemi si vend”.

“Ka zgjedh të merret me lavdi politike, duke iu dëshmuar militantëve se çka do të thotë të jesh i fortë para Rrahman Jasharajt (udhëheqësit të Këshillit Grevist)”.

Gjithsesi, filloi apo jo mësimi tash me 3 tetor, dëmi është bërë dhe ai është i pakthyeshëm shton Krasniqi.

“Tek ne humbjet dhe efektet afatgjata askush nuk i mendon. Menduat veç në një drejtim, si të dilni triumfues dhe të panënshtruar ndaj grevistëve. Për qeverinë greva është instrument politik”.

Krasniqi ka thënë se Kurti definohet fare lehtë, “ja na, ja ata” është për kryeministrin.

“Dëmi nga kjo qasje është shumë dimensionalë. Epilogu i kësaj sage ka nxjerrur në pah një qeveri që nuk ofron zgjidhje, por sanksione, do që ta përçaj shoqërinë, por ne nuk do ta lejojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore