Lajme

Gucati në Kosovë, Specialja e konfirmon për Albanian Post


Hysni Gucati në Hagë

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, po qëndron në Kosovë.

Një gjë të tillë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle.

Sipas tij Gucati ka udhëtuar për në Prishtinë për të takuar familjen e ngushtë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Kolegji i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për Hysni Gucatin për të takuar familjen e ngushtë”, thuhet në përgjigjen e Doyle për Albanian Post.

Nga informacionet jo-zyrtare, Gucati po qëndron në Kosovë pasi nëna e tij është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Hysni Gucati kishte vizituar Kosovën edhe më herët.

Ai gjatë muajit korrik pati vizituar nënën e tij që ishte e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gucati ishte i shoqëruar nga forca të shumta të njësive speciale të EULEX-it.

“Hysni Gucati mbetet në paraburgim në Dhomat e Specializuar. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Gjykatën Speciale”, thuhet më tej në përgjigjen e Doyle.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë të dënuar nga Gjykata Speciale me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore