Kanadezi që vrau dhjetë persona duke përplasur me furgon këmbësorët, është shpallur fajtor për të gjitha akuzat në lidhje me sulmin e 2018-ës.
Alek Minassian e kishte pranuar sulmin, por avokatët e tij argumentuan se ai nuk ishte penalisht përgjegjës për aktin. Sipas tyre ai vuante nga çrregullimi i spektrit të autizmit.
Gjykatësja, Anna Malloy, e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke u shprehur se sulmi ishte “veprim i një mendjeje arsyetuese”.
Minassian u përball me dhjetë akuza për vrasje dhe 16 për vrasje në tentativë.
Malloy e pranoi diagnozën e tij të çrregullimit, por vendosi që ai ishte i aftë të kuptonte veprimet e tij të cilat ishin ligjërisht dhe moralisht të gabuara.
Avokati i të akuzuarit, u përpoq të shpjegonte sesi gjendja e klientit të tij e kishte lënë atë pa aftësinë për të zhvilluar ndjeshmëri, por ishte e kotë.
Si ndodhi ngjarja?
Minassian mori me qira furgonin rreth tre javë para se ta përdorte atë si një armë në një rrugë kryesore të Torontos.
Ai u tha hetuesve se kishte vendosur të vriste sa më shumë njerëz që të ishte e mundur.
I pyetur nga hetuesit se si ndihej për dëmin që kishte shkaktuar, sulmuesi u përgjigj se, “Ndjehem sikur e përmbusha misionin tim”.
Duke dhënë vendimin të mërkurën, gjykatësja Malloy tha se vrasësi kishte zgjedhur furgonin me një qëllim të veçantë në mendje.
Sipas saj zgjedhja e një automjeti mjaft të vogël për të qenë i lëvizshëm, por mjaft i madh për të shkaktuar “dëm maksimal”, tregon për aftësinë e trurit të tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com