Kosova

Seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Speciale


Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të enjte të 8 shtatorit në ora 13:30 mbahet seanca e radhës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në seancë do të diskutohen të gjitha temat që ndërlidhen me shpalosjen e materialeve, hetimet e mbrojtjes dhe të Prokurorisë e detaje të tjera.

Ndryshe, më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Por, në Ministrinë e Drejtësisë është duke u diskutuar për themelimin e një mekanizimi që do ta monitoronte punën e Gjykatës Speciale. Por, përmes një përgjigje me shkrim nga Specialja thonë se ky institucion i drejtësisë funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe u mundëson gjyqtarëve të jenë pavarur dhe të mos kontrollohen nga çfarëdo autoriteti.

Berita Abazi, nga kabineti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për Albanian Post se pas vizitës në Hagë të ministres Haxhiu, është konstatuar se puna në Speciale duhet të monitorohet.

“Pas vizitave në Hagë, është evidentuar mungesa e një monitorimi nëse respektohen të drejtat e personave që mbahen atje, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe mbi këtë bazë, është diskutuar mundësia e një mekanizmi i cili do të monitoronte këtë aspekt, dhe e cila çështje, ende mbetet në nivelin e diskutimeve fillestare”, tha Abazi përmes një përgjigje me shkrim për AP

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore