Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka përshëndetur sundimin e Kinës mbi Hong Kongun, ndërsa drejtoi festimet e 25-vjetorit të dorëzimit të qytetit nga Britania, duke këmbëngulur se “demokracia po lulëzon, pavarësisht një goditjeje politike që ka heshtur mospajtimet”.
Në ceremoninë solemne, mëngjesin e së premtes 1 korrik, presidenti kinez shpalosi vizionin e tij për qytetin dhe administratorët e tij.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë Kinës kontinentale që nga fillimi i pandemisë, ai u zotua se “një vend, dy sisteme” – një model qeverisjeje sipas të cilit Hong Kongut iu premtua se do të ruante disa autonomi dhe liri për 50 vjet – do të vazhdojë.
“Për këtë lloj sistemi, nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar atë, ai duhet të mbahet për një afat të gjatë”, tha Xi, ndërsa kritikët pyesnin nëse niveli i lartë i autonomisë së qytetit ishte ende i paprekur.
“Pas shumë trazirave, njerëzit kanë marrë një mësim të dhimbshëm se Hong Kongu nuk mund të jetë i çrregullt, nuk mund ta përballojë të jetë i çrregullt”, tha ai.
Më tej u shpreh se “Hong Kongu është në një fazë të re nga çrregullimi në stabilitet, nga stabiliteti në prosperitet”.
Tre vitet e fundit kanë parë një zbërthim të paprecedentë të lirive në Hong Kong, si rezultat i ligjit të sigurisë kombëtare të imponuar nga Pekini.
Shumë aktivistë pro-demokracisë, gazetarë dhe politikanë të opozitës janë burgosur.
Xi u bëri thirrje banorëve të Hong Kongut për të kontribuuar në “ringjalljen e madhe të racës kineze” dhe këmbënguli se Pekini kishte vepruar gjithmonë “për të mirën e Hong Kongut”.
Në ceremonitë e betimit, të gjithë zyrtarët, përfshirë Xi, mbanin maska dhe qëndronin të paktën një metër larg njëri-tjetrit. Ata nuk shtrënguan duart.
Përpara se të fillonte ceremonia shumë koreografike, kryeministri britanik Boris Johnson dhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, thanë se Pekini nuk kishte respektuar marrëveshjen “një vend, dy sisteme” të rënë dakord sipas marrëveshjes që i dha fund sundimit kolonial britanik në 1997.
Ngjarjet për të shënuar përvjetorin e dorëzimit të qytetit filluan me një ceremoni të ngritjes së flamurit në qendrën e kongreseve dhe ekspozitës në Hong Kong, vend i rrethuar nga barrikada të mëdha policie.
Më parë, aktivistët e Hong Kongut janë mbledhur jashtë ceremonisë, por janë paralajmëruar nga policia e sigurisë kombëtare që të mos protestojnë këtë vit.
Siguria ishte e rreptë në të gjithë qytetin.
Njësia kundër terrorizmit e policisë së Hong Kongut u vendos në Wan Chai, e shoqëruar nga automjete të blinduara.
Oficerët gjithashtu patrullonin zonën dhe kryenin kontrolle.
Ndërkohë, anëtarëve të Lidhjes së Social Demokratëve, grup aktivist, u tha nga policia që të mos organizonin asnjë protestë më 1 korrik, pasi anëtarët u intervistuan dhe u kontrolluan shtëpitë e tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Kristi Noem, zëvendësja e mundshme e Trump: Kam vrarë qenin tim, e urreva, ishte i padisiplinuar
-
Maqedonci takon homologun hungarez, flasin për sulmin në Veri dhe sigurinë në Ballkan
-
Nga Suedia në Mbretërinë e Bashkuar, një valë arrestimesh zbulon praninë e një rrjeti spiunësh kinezë në Evropë
-
Sadaf Baghbani: Kam 150 fishekë në trup, mendova se askush nuk do të më dojë më