Lajme

“Hong Kongu është ngritur nga hiri”, thotë presidenti kinez


Presidenti kinez, Xi Jinping, ka mbërritur në Hong Kong në 25-vjetorin e kthimit të ish-kolonisë britanike nën sundimin e Pekinit.

Kjo është vizita e tij e parë jashtë Kinës kontinentale që nga fillimi i pandemisë, gati dy vjet e gjysmë më parë.

Ai tha se Hong Kongu ishte “ngritur nga hiri” pas një sërë sfidash.

Kina mori kontrollin mbi territorin pas protestave pro-demokracisë në 2019-2020 dhe është akuzuar nga kritikët për shtypjen e lirive të Hong Kongu-t.

Xi, i cili udhëtoi me tren ekspres, u përshëndet në stacion nga nxënësit që mbanin lule dhe valëvitnin flamujt e Kinës dhe Hong Kongu-t.

“Në të kaluarën Hong Kongu u ka rezistuar provave të rënda, duke kapërcyer sfidat një nga një”, tha ai në një fjalim të shkurtër, ndoshta duke iu referuar protestave masive tre vjet më parë.

Gjithashtu shtoi se “një vend, dy sisteme”, modeli i qeverisjes i rënë dakord për 50 vjet në dorëzim, “mund të sigurojë prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të Hong Kongu-t”.

Sipas marrëveshjes, qendra ndërkombëtare e biznesit iu lejua të ruante një shkallë autonomie dhe lirie që nuk shihet në pjesën tjetër të Kinës, por kritikët thonë se këto po gërryhen me shpejtësi.

Siguria është e rreptë rreth qendrës së kongresit që po pret ngjarje zyrtare për përvjetorin, me rrugë të mbyllura dhe një zonë ndalim-fluturimi sipër.

Nuk janë bërë publike detajet e itinerarit të presidentit gjatë vizitës dyditore.

Raportet thonë se ai po qëndron natën, në qytetin e afërt të Shenzhen.

Xi nuk është larguar nga Kina kontinentale që kur mbylli kufijtë e saj në fillim të vitit 2020 pas shpërthimit të koronavirusit.

Shefja ekzekutive në largim e Hong Kongut, Carrie Lam, dhe pasardhësi i saj John Lee, ishin ndër ata që e mirëpritën Xi në një terminal hekurudhor me shpejtësi të lartë që nuk u përdor për më shumë se dy vjet për shkak të COVID-19.

Ai pritet të kthehet në qytet të premten për të mbikëqyrur inaugurimin e udhëheqësit të ri.

Lam dhe Lee, një ish-polic i lartë, së bashku me zyrtarë të tjerë u janë nënshtruar testeve të përditshme për COVID-19 dhe kanë qëndruar në një hotel karantinë përpara vizitës, thonë raportet.

Carrie Lam

Ardhja e tij ka qenë aq e fshehur sa disa politikanë pro Pekinit u ankuan në emisionet e radiove lokale se kishin humbur mundësinë për të karantinuar dhe nuk ishin në gjendje ta takonin liderin e vendit.

Drejtuesit e medias u mërzitën gjithashtu pasi disa gazetarëve iu refuzua akreditimi në minutën e fundit “për arsye sigurie”.

“Ne kemi një detyrim ta mbajmë sekret”, tha ndihmëskomisioneri i policisë, Lui Kam-ho, në një konferencë të fundit për shtyp.

Para dorëzimit, Kina premtoi të mbronte liritë demokratike për 50 vjet në rajonin e posaçëm administrativ, por ligjet e reja të prezantuara në vitin 2020 kanë heshtur në mënyrë efektive të gjitha kritikat në territor.

Qeveria në Pekin mund të vërë veton ndaj ndryshimeve në sistemin politik dhe forcat pro-demokracisë janë frustruar nga ajo që ata e shohin si ritmi i ngadaltë i reformës politike.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore