Lajme

AAK del me një propozim për zgjidhjen e krizës së veteranëve


Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes deputetit, Bekë Berisha, ka deponuar një amendament në të cilën kërkohet që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së, pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së të jetë i barasvlershëm me pagën minimale.

Këtë e ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili në një konferencë për media ka kërkuar që qeveria të ofrojë zgjidhje për temat madhore të cilët janë temë debati tash e sa kohë.

“Pra, ne me këtë amendament po e sfidojmë nenin dhe po propozojmë zgjidhje. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që qeveria të reflektojë në propozimet tona që i kemi dhënë në secilin seancë dhe në kërkesat minimale të shoqatave të veteranëve në raport me përcaktimin e pagës minimale”, ka thënë ai.

“Ne kërkojmë nga qeveria të mos prodhojë kriza, por të ofrojë zgjidhje, nëse nuk ka një zgjidhje dhe nuk propozojmë marrëveshje nga Qeveria e Kosovës realisht do të kemi bllokim Kuvendit”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë të ditur se AAK më herët kishte propozuar edhe një amendament tjetër i cili parasheh që paga minimale të jetë më e larë se kjo që është propozuar nga Qeveria.

“Ne jemi duke kërkuar që me këto dy amandamente që i kemi propozuar si zgjidhje të nisë diskutimi e të dëgjojmë edhe propozimet e Qeverisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore