Përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovës, për siç kanë njoftuar ata, situatën e krijuar si pasojë e procesit gjyqësor ku Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit e kanë shpallur të kundërligjshme rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike.
“Në veçanti u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e procesit gjyqësor, në të cilin proces, me një vendim për masë të përkohshme, është pezulluar ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së për media.
Qysh nga vendimi i gjykatës për tarifat e fryera ZRrE është ankuar se ka paqartësi në implementimin e vendimit të gjykataës.
Këto shqetësime thonë t’ua kenë prezantuar edhe përfaqësuesve të Ambasadës.
Nga ZRrE thonë se i kanë njoftuar amerikanët “edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend”.
Në anën tjetër, bordi i ZRrE-së është kritikuar shumë, sidomos pas vendimeve të institucioneve të drejtësisë.
Opozita në Kosovë madje ka kërkuar shkarkimin e këtij bordi.
Por, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që të anulojë vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe këtë e konfirmoi edhe Gjykata e shkallës së dytë, ajo e Apelit, me bordin e ZRrE-së nuk po ndodhë asgjë.
Askush nga institucionet e vendit nuk ka ndërmarrë as një hap për të ndëshkuar këtë bord i cili nga dy gjykata të vendit u cilësua se mori vendime të gabuara.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com