Në Evropë, organi evropian i aeroporteve ACI EUROPE ka raportuar një rikuperim të trafikut të pasagjerëve.
Në muajin mars, sakaq, aeroportet kanë shfaqur performancën më të mirë mujore që nga fillimi i pandemisë.
Dhe kjo rimëkëmbje ka ardhur prej lehtësimit të kufizimeve në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian si për udhëtimet brenda Evropës, ashtu edhe për ato të jashtme.
Kështu, trafiku i pasagjerëve në aeroportet në të gjithë zonën ka qëndruar në -34.3% në mars, nga -51.1% në janar.
Në mesin e vendeve evropiane jashtë zonës është edhe Shqipëria.
Ngjashëm, prej lehtësimeve të kufizimeve, trafiku i aeroporteve në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë shumë mbi vëllimin para pandemisë.
Respektivisht, +38.9% dhe +15.1%.
Brenda zonës, tregjet me performancën më të mirë në mars renditen Portugalia (-16,3%), Rumania (-21,8%) dhe Spanja (-21,9%).
Kurse me performancën më të keqe Sllovenia (-61,9%), Sllovakia (-58%) dhe Gjermania (-51,7%).
Në Mbretërinë e Bashkuar, më në fund, aeroportet iu afruan mesatares së zonës BE+ (-38.2%), ndërsa ato në Francë e kanë kaluar atë (-29.5%).
Në pjesën tjetër të Evropës, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka rezultuar në përkeqësimin e ndjeshëm të trafikut të pasagjerëve në mars në -32.9%, nga -23.8% në janar.
Në muajin mars, rënia ka ardhur nga humbja e të gjithë trafikut të pasagjerëve në aeroportet e Ukrainës, pjesa më e madhe e trafikut të pasagjerëve në aeroportet moldave (-94.5%) dhe ulja e trafikut të pasagjerëve në aeroportet ruse.
Kjo e fundit ka ardhur kryesisht nga ndalimet e trafikut ajror të BE-së dhe MB-së dhe nga mbyllja e qeverisë ruse e më shumë se 10 aeroporteve komerciale në pjesën jugore.
Trafiku i pasagjerëve në aeroportet ruse, që ishte rikuperuar në vëllim në fillim të vitit, ka pësuar rënie me një mesatare prej -24% në mars në ato aeroporte ruse që funksionojnë.
Ndërkohë, jashtë zonës, trafiku i pasagjerëve është përkeqësuar po ashtu në aeroportet gjeorgjiane (-38%).
Por ka vijuar të përmirësohet në të gjitha tregjet e tjera, duke përfshirë atë në Serbi (-21%) dhe Turqi (-24.5%).
Ndërsa në Armeni, aeroportet kanë arritur rikuperim të plotë (+0.4%).
“Ndikimi i luftës së organizuar nga Rusia në Ukrainë në trafikun e pasagjerëve është frenuar në këto vende dhe disa të tjera në afërsi të tyre”, ka thënë drejtori i përgjithshëm Olivier Jankovec.
Për aeroportet në pjesën tjetër të Evropës, “lehtësimi i kufizimeve të udhëtimit jo vetëm në kontinent, por edhe gjithnjë e më shumë për udhëtimet ndërkontinentale, premton shumë për sezonin e verës”.
Sipas tij, sfida është të menaxhohet rritja e papritur e trafikut, duke pasur parasysh se pandemia i ka lënën aeroportet dhe operatorët tokësorë me burime jashtëzakonisht të varfëruara.
Çka kërkon staf të ri në një treg shumë të ngushtë pune në të gjithë Evropën.
“Kjo, e kombinuar me trafikun që është shumë më i përqendruar gjatë periudhave të pikut, po ngarkon ndjeshëm të gjithë sistemin e aviacionit teksa përpiqemi të rimëkëmbemi”, ka theksuar ai.
Përmirësimet kryesore
Pesë aeroportet kryesore evropiane panë përmirësim të ndjeshëm të trafikut të pasagjerëve me -34.5% në mars, nga -48.5% në janar.
Stambolli (-20%) mbeti aeroporti më i ngarkuar evropian, por Londër-Heathrow (-35.7%) u hodh në pozitën e dytë nga vendi i katërt gjatë muajit të mëparshëm.
Ai ndiqet nga Paris-CDG (-35.2%), Amsterdam-Schiphol (- 33.8%) dhe Madrid-Barajas Adolfo Suarez (-27.5%).
Aeroportet rajonale
Trafiku i pasagjerëve në aeroportet më të vogla dhe rajonale ka qëndruar në -24.9% në mars, nga -38% në janar, me një mesatare prej -32.1% për tremujorin e parë.
Fortesat e linjave ajrore me kosto të ulët si Milano-Bergamo (-5,7%), Charleroi (-5,2%) dhe Kaunas (-7,2%) ishin afër arritjes së rimëkëmbjes së plotë në mars.
Sakaq, aeroportet ishullore që shërbejnë destinacionet e njohura turistike, kanë arritur afër rimëkëmbjes së plotë në mars.
Paphos (+1.4%), Palermo (+0.6%), Ibiza (-2.1%), Chania (-2.5%), Funchal (-4%) ), Catania (-7,5%), Ajaccio (-9,1%) dhe Lanzarote (-9,2%).
Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Dokumentari i Rai 3: Ironi dhe akuza në Kuvendin e Shqipërisë
-
Forcimi i gjyqësorit është investimi më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, thotë Gonzato
-
Stoltenberg qorton aleatët për mbështetjen e vakët ndaj Ukrainës
-
Nga padia shtetërore për gjenocid institucionet “tkurren” në padi civile për Serbinë në Këshillin e Evropës