Lajme

Koalicioni i OJQ-ve: Propozimi i KPK-së për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit, i papranueshëm


Ilustrim

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshme propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

“Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht”, shkruhet në reagimin e organizatave jo-qeveritare.

Këshilli Prokurorial sipas organizatave në fjalë ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe të sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit kanë integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Si rrjedhojë, rekomanduam që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”.

Emërimin e Isufaj nga Këshilli Prokurorial si Kryeprokuror i ri i Shtetit në mënyrë unanime sipas organizatave jo-qeveritare reflekton faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje.

Në fund, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i kanë bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

“Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar. Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim”, përfundon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore