Lajme

Dogana e Kosovës: Vaji ushqimor këtë vit u importua me 1.22-1.45 euro


Ilustrim.

Të enjten e 11 marsit, një litër vaj u shit me çmimin prej 3 euro e 49 cent. Por, Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur se gati trefish me lirë sesa çmimi me të cilin u shit një litër vaj të enjten, ka kushtuar importi i një litre në Kosovë deri tash në vitin 2022.

“Në dy muajt e parë të vitit 2022 dhe në ditët e para të marsit, çmimet për një litër vaj të importuar ka qenë në mes të 1 euro e 22 cent dhe 1 euro e 45 cent”, është thënë nga Dogana.

Mirëpo, edhe me çmim më të lirë ka qenë vaji i importuar gjatë vitit 2021.

“Gjatë 2021-s janë importuar 17.7 milionë litra vaj luledielli të përpunuar dhe 5 milionë vaj luledielli të papërpunuar. Vajrat ushqimore në vitin e shkuar janë importuar me çmim prej 1.11 euro në janar dhe 1.44 euro në dhjetor. Për import është paguar tetë për qind TVSH-ja. Vajrat e papërpunuar s’kanë paguar për shkak se konsiderohen lëndë e parë për prodhim”.

Ndërsa këtë vit, janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milionë litra vaj i papërpunuar me çmim prej 1.22 euro deri në 1.45.

Dogana e Kosovës.

Më 10 mars, Inspektorati i Tregut ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë e ku kishte sasi të konsiderueshme të vajit.

“Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë”, ka njoftuar kjo ministri.

Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një statusi në Facebook ka thënë se me shqetësim ka pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, duke treguar se në nenin 295 të Kodit Penal flitet për keqpërdorim të pozitës së monopolit thuhet se “në pikën 1, parashihet burgim deri në 3 vjet, kurse në pikën 2 deri në 5 vjet”.

“Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal’, ka shkruar Hajdari.

“Ju siguroj se Qeveria Kurti, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes, prioritet ka mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Hajdari i ka ftuar të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit.

Në anën tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës si dhe organet tjera kompetente, përkatësisht Inspektoratin e Tregut do t’i ndërmarrë veprimet ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike duke e keqpërdorur pozitën monopoliste apo dominuese në treg.

Ndërsa, Albanian Post ka realizuar një video story sa i përket rezervave ushqimore që mund të ketë Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore