Financa

Banka Goldman Sachs urdhëron stafin e New York-ut të anulojë festat


Kreu i kompanisë bankare të investimeve, Goldman Sachs, dëshiron që bankierët të jenë sërish bashkë në zyrë, paçka se ata mund të kenë plane të tjera për festat festive.

Banka e Wall Street-it, me rishfaqjen e rasteve të COVID-19, ka urdhëruar ekipet në New York që nuk kanë mbajtur ende darka dhe ngjarje të tjera të brendshme që të anulojnë çdo plan të mbetur.

Një zëdhënës i bankës ka treguar se ngjarjet festive janë mbajtur gjatë disa javëve të fundit, por të mbeturat janë shtyrë.

Kjo politikë e rreptë e Goldman-it shfaq një ndasi në Wall Street mbi mbledhjet në grup për sezonin festiv pas një viti rraskapitës pandemie, tregon e përditshmja “Financial Times”.

Pavarësisht se për industrinë e financave, viti ishte fitimprurës.

Normat e larta të vaksinimit në New York dhe lehtësimi i kufizimeve sociale iu dhanë shumë bankierëve shpresën se do të ishin në gjendje të rifillonin festimet.

Mirëpo, shqetësimet mbi variantin e ri të virusit, Omicron, i kanë komplikuar planet për festat e këtij dhjetori.

Në fillim të kësaj jave, në të gjithë vendin hyri në fuqi një detyrim i ri për mbajtjen e maskave në hapësirat e brendshme për shkak të rasteve në rritje.

Marrë shkas prej kësaj, bankat janë detyruar të rishikojnë praktikat e tyre.

Dhe Goldman-i, që në fillim të këtij viti, ishte ndër grupet e Wall Street-it që i kërkuan stafit të kthehej në zyrë.

Tanimë, po mban një qëndrim konservator ndaj festimeve, ndërkohë që gjigantët e tjerë financiar po tregojnë më shumë fleksibilitet.

Javën e kaluar, një grup bankierësh në divizionin e tregjeve të Morgan Stanley organizuan një festë për analistët në Catch, një restorant në anën perëndimore të Manhattan-it.

Atje, morën pjesë dhjetëra njerëz.

Kurse një divizion tjetër, dha me qira një bar në distriktin financiar të Manhattan-it për festime. Më pak se gjysma e ekipit u paraqit, kështu që pati një sasi të madhe ushqimi dhe alkooli falas për ta.

Megjithatë, ka pasur edhe anulime të shumta. Dhe bankierët janë shprehur se janë mësuar tanimë me anulimet e minutës së fundit që prej nisjes së pandemisë.

Një darkë për një duzinë tregtarësh me të ardhura fikse në një bankë të madhe është planifikuar për të premten, por ka të ngjarë të anulohet.

Kështu ka raportuar për “Financial Times” një prej tregtarëve që ka punuar rregullisht nga zyra që nga vera e kaluar.

“Do të doja të festoja një vit të suksesshëm me njerëzit me të cilët kalova pjesën më të madhe të kohës, por ky nuk është rasti”, ka thënë tregtari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore