Pajisje

Samsung-u emëron drejtuesit e rinj për telefonat inteligjentë dhe çipat


Kompania Samsung Electronics do të bashkojë divizionet e elektronikës celulare dhe të konsumit, duke emëruar bashkë-drejtuesit e rinj në riorganizimin më të madh që nga viti 2017.

E gjitha për të thjeshtuar strukturën dhe për t’u fokusuar në biznesin e çipave, tregon agjencia e lajmeve “CNN”.

Në vend të tre bashkë-drejtuesve ekzekutivë do të jenë vetëm dy.

Ata do të drejtojnë firmën koreano-jugore teksa fokusohet në dy shtyllat e biznesit të çipave dhe pajisjeve të konsumit, duke përfshirë telefonat inteligjentë.

Puna e tyre do të jetë për të ndihmuar në udhëheqjen e fazës tjetër të rritjes dhe gjithashtu për të rritur konkurrencën.

Lëvizja vjen teksa Samsung-u kërkon të ringjallë rritjen e ngadalësuar të celularëve, kontributi i fitimit të të cilit është tkurrur në 21 për qind në tremujorin e kaluar nga gati 70 për qind në kulmin e tij në fillim të viteve 2010.

Kurse biznesi i tij i komponentëve, i udhëhequr nga çipat, është bërë më fitimprurës, i ndihmuar nga një bum në ruajtjen e të dhënave dhe një mungesë e fundit e furnizimeve globale të gjysmëpërçuesve.

Sipas “CNN”, biznesi ka gjeneruar gati tre të katërtat e fitimit operativ të Samsung-ut prej 15.8 trilionë dollarësh në tremujorin e kaluar.

Për analistët, riorganizimi mund të ndihmojë Samsung-un të përballet me sfida të tilla si ofrimi i shërbimeve të lidhura pa probleme midis telefonave inteligjentë dhe pajisjeve shtëpiake.

“Në afat të gjatë, sfida më e madhe është formimi i një platforme të vetë Samsung-ut”, ka thënë analisti Lee Jae-yun.

Ai ka vijuar se “ato biznese duhet të vazhdojnë të rrisin lidhjen midis pajisjeve, por deri më tani nuk ka qenë në gjendje të krijojë një platformë të qëndrueshme”.

Për herë të fundit, Samsung Electronics i ka emëruar drejtuesit e rinj të divizionit në fund të vitit 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore