Bota

Trump refuzon të dëshmojë në Senat


Donald Trump, Presidenti i 45-ë i SHBA-së

Ish-presidenti Donald Trump nuk ka pranuar të dëshmojë në Senat për procesin e ngritur ndaj tij, i cili fillon javën e ardhshme.

“Presidenti nuk do të dëshmojë në një proces jo kushtetues”, tha zëdhënësi i tij për shtyp, Jason Miller. Ky vendim vjen pas akuzave që Kongresi ngriti ndaj Trump-it, mbi protestat e 6 janarit në Capitol.

Kongresmenët amerikanë që morën iniciativën, kishin kërkuar edhe më parë dëshminë e ish-presidentit. Gjithsesi, ata nuk e kishin fuqinë ta detyronin atë të dëshmonte. Rrjedhimisht, Trump-i refuzoi.

Demokrati që do të drejtojë procesin, Jamie Raskin, deklaroi ndërkohë se nuk i duket sjellje e përshtatje kjo e Trump-it. “Nëse e refuzoni këtë ftesë, ne kemi çdo të drejtë të mbajmë gjyqin pa praninë tuaj. Gjithashtu, ky anashkalim i paraqitjes në Senat, mund të merret si indicie qe ju po refuzoni dëshminë për shkak të implikimit tuaj në çështje”, theksoi Raskin.

Avokatët e Trump-it u përgjigjën se “ato çfarë thekson Raskin, janë të pabaza”. “Kjo letër e juaja, pohon thjeshtë faktin se ju nuk mund të konfirmoni akuzat”, përmbyllet deklarata e ekipit të ish-presidentit.

Shqetësim kanë shfaqur edhe disa Senatorë të tjerë, të cilët do të kishin dëshirë të merrnin Trump-in në pyetje, për të qenë sa më të drejtë në gjykimin e tyre.

Procesi ndaj Donald Trump-it, pritet të fillojë javën e dytë të shkurtit.

Zanafilla e procesit ndaj Trump-it

Me mbylljen e zgjedhjeve presidenciale, Amerika u ballafaqua me një gjendje kaotike. Presidenti në largim, Donald Trump, nuk e pranoi rezultatin. Madje, ai ngriti edhe akuza për manipulim të votave. Disa shtete u kontestuan në gjykata.

Pavarësisht kërkesave të ekipit të Trump-it, asnjë nga akuzat nuk u përcaktua si e vërtetë. E vetmja rrugë për të mos certifikuar zgjedhjen e Joe Biden-it, mbeti bllokimi i tij në Senat.

Disa republikanë, u përpoqën të bllokonin procesin. Dy shtete u çuan për rishqyrtim, por mos njohja e zgjedhjeve nuk u pranua.

Certifikimi i Biden-it u shënjua edhe nga një protestë masive në ndërtesën e Capitol-it. Protesta e thirrur nga Trump-i, u shndërrua në një ndër ngjarjet më të dhunshme në SHBA ndaj institucioneve publike.

Pesë persona mbetën të vdekur dhe qindra të tjerë u plagosën. Ligjvënësit amerikanë u evakuuan menjëherë nga godina për çështje sigurie. Pamjet bënë xhiron e botës, duke treguar një Amerikë të shpërfytyruar.

Jo vetëm ligjvënësit, por edhe mediat, akuzuan ish-presidentin si përgjegjës. Kongresmenja demokrate, Alexandria Ocasio-Cortez, deklaroi se shumë kolegë të saj, i kishin pohuar se Trump-i e dinte çfarë do të ndodhte në Capitol.

Kërkesa për shkarkimin e dytë të tij, u nis nga Kongresi dhe u aprovua në fund të janarit 2021. Ky ishte shkarkimi i dytë i Trump-it brenda një mandati, duke vendosur precedentin e parë në histori për një president amerikan.

Që Senati të miratojë kërkesën, duhen 17 vota republikanësh. Kjo shifër duket e vështirë për t’u kapur, duke parë deklaratat e tyre. Pjesa më e madhe e republikanëve mbeten ende me qasje pro-Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore