Lajme

Gjykata Supreme: “Hani i Elezit nuk shkon në rivotim”


Mehmet Ballazhi, kandidati i PDK-së për kryetar komune në Han të Elezit, duke vizituar qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të anulojë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për “rivotim ne Han të Elezit”, duke e kthyer në fuqi rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit.

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kandidati i PDK-së për Kryetar Komune, Mehmet Ballazhi kishte fituar 2.485 vota, ose 50.98%, ndërsa i dyti kishte dalë, kandidati i pavarur, Rukfi Suma me 2.070 vota, ose 42.47%.

Suma i cili udhëhoqi me Hanin e Elezit për tri mandate, si kandidat i pavarur.

Udhëheqjen e kësaj komune për herë të katërt ai e humbi për 415 vota më pak.

Reagimi i avokatit të Mehmet Ballazhit, në këtë rast, pas vendimit të Gjykatës Supreme

Faton Fetahu, Avokat i kandidatit të PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka konfirmuar se Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e PZAP-së për zgjedhjet në këtë Komunë e cila u fitua pa balotazh nga Mehmet Ballazhi.

Fetahu ka shkruar në faqen e tij në Facebook se drejtësia për vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve të Hanit të Elezit erdhi në vend.

Deklarata e plotë e Avokatit Faton Fetahu:

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që si Avokat i ri po e filloj punën me vendosjen e drejtësisë për qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit, gjegjësisht vullnetit të tyre të shprehur në mënyrë demokratike në zgjedhjet e 17 tetorit për kryetarin Mehmet Ballazhi”, ka deklaruar Fetahu.

“Gjykata Supreme sot vendosi për procesin zgjedhor të Hanit të Elezit dhe drejtësia për qytetarët po vjen në vend”.

“Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të kandidatit për kryetar z.Mehmet Ballazhi, sapo pranova vendimin nga Gjykata Supreme e Kosovës, se ankesa që kam parashtruar është miratuar në tërësi si e bazuar”.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme është i rëndësishëm për disa arsye: e para, vulos zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike në komunën e Hanit të Elezit; e dyta, konfirmon fitoren meritore të z.Mehmet Ballazhi; e treta, ripërcakton qartësisht kushtet dhe rrethanat në të cilat mund të vendoset për rivotim; e katërta, konsideron tërësisht të pabazuar vendimin e PZAP-së; dhe e pesta, i aplikon standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira që aplikon Komisioni i Venecias mbi ruajtjen dhe promovimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje, i cili vullnet nuk mund të devijohet apo të zhvlerësohet tërësisht e lehtësisht – ashtu siç i kam propozuar në ankesë”, ka specifikuar Fetahu.

“Për fund, i uroj qytetarët e Hanit të Elezit për kryetarin e ri të tyre dhe Partinë Demokratike të Kosovës për kontributin e madh në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve të 17 tetorit”.

Kolegjet e Gjykatës Supreme, kanë vendosur lidhur me tri ankesat e pranuara ndaj vendimeve të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që kanë të bëjnë me parregullsitë në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor 2021.

PZAP, kishte vendosur për të shkuar në rivotim në Komunën e Hanit të Elezit, për kryetar komune,  pasi që kandidati i pavarur Rufki Suma, kishte paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, se kundër kandidati i tij nga PDK, është parë duke vizituar të gjitha qendrat e votimeve, ditën e zgjedhjeve.

Për këtë ankesë, Suma kishte dërguar në PZAP edhe një CD me xhirime të cilat e dëshmonin ankesën e tij.

Për “presion ndaj votueseve”, PZAP kishte vendosur para katër dite, qe kjo komunë të përsëris edhe një herë votimin në tërësi për kryetar të komunës.

Kjo, pas vendimit që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka marrë pas takimit të mbajtur këtë të enjte.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore