Libra

Dialektika e Iluminizmit


Vepra Dialektika e Iluminizmit – Max Horkheimer & Theodor W. Adorno, Botuar në Amsterdam në vitin 1947

Theodor W. Adorno si përfaqësuesi kryesor i shkollës së Frankfurtit, në bashkëpunim me Max Horkheimer-in gjithashtu anëtar i kësaj shkolle, në vitin 1944 në pikun më kulmor të Luftës së Dytë Botërore, nxorën veprën e përbashkët Dialektika e iluminizmit.

Ishin pikërisht rrethanat e kohës në Gjermani ato që i frymëzuan këta dy mendimtarë të nxirrnin në pah këtë vepër, por edhe të arratiseshin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të shpëtuar nga ajo çfarë e kishte kapluar Gjermaninë dhe thuajse tërë Evropën.

Dialektika e Iluminizmit – Fragmente filozofike Querido 1944- Lidhja e panjohur – 1 janar 1944

Pyetja e shtruar nga ta në veprën Dialektika e iluminizmit është se: pse njerëzimi në vend se të hyjnë në një gjendje humane ashtu siç e proklamonte iluminizmi, u gjend i zhytur në një lloj barbarizmi me një fytyrë të re?

Andaj, argumenti kryesor në veprën Dialektika e Iluminizmit ishte që të shërbejë si një kritikë e gjerë e “vetëshkatërrimit të iluminimit”. Racio përbënte tiparin kryesor të kulturës perëndimore, mirëpo në rrafshin filozofik, përkatësisht në filozofinë moderne u përhap një prirje e cila kishte për qëllim çlirimin e arsyes nga çfarëdo paragjykimi.

Porse, me kohë në epokën moderne të teknologjisë autorët konsiderojnë se gjakderdhja u rrit edhe më shumë, dhe se toleranca nuk mund të zinte hapësirën e saj nga intoleranca e cila tashmë kishte kapluar jo vetëm Evropën por thuajse tërë globin.

Njeriu nga kjo intolerancë e thellë u bë rob i të tjerëve dhe i vetë teknologjisë.

Sipas filozofit, Astrit Salihu, rrugëtimi i teknologjisë dhe vet racionalitetit mori një kahja tjetër.

Në veprënDiskursi filozofik i postmodernës, Salihu thotë se Rrjedha e zhvillimit, ndërkaq, e teknologjisë dhe e racionalizimit të botës mori kahe të kundërt. Procesi i zhvillimit të tyre u tjetërsua nga nevoja e njeriut dhe kontrolli i tij. 

Filozofi Astrit Salihu- Gjatë një prezantimi në një konferencë të filozofisë- Universitetin e Prishtinës

Adorno dhe Horkheimer-i konsideronin se racionaliteti nuk mund të merret si një depozitë garantuese për emancipimin dhe mirëqenien e njerëzimit. Andaj, ajo se çfarë duan njerëzit të mësojnë prej natyrës, është pikërisht se si ta përdorin atë, që së fundmi ta zotërojnë si natyrë ashtu edhe njeriun.

Bashkautorët janë të mendimit se në vend të çlirimit nga paragjykimet dhe nga potencialet teknologjike të iluminizmit, filloi një lloj procesi i zhvillimit të pakontrolluar të arsenalit destruktiv, i cili jo vetëm se e rrezikon qëllimin e iluminizmi i cili duhet të realizohej në tërësi, porse rrezikon vetë njerëzimin në përgjithësi.

Ishin pikërisht ngjarjet si Auschwitz-i dhe Gulagu ato të cilat rritnin dyshimin edhe më tej të Adorno-s dhe Horkheimer-it ndaj iluminizmit si një frymë e cila kishte për qëllim përndritjen e njerëzimit.

Fotografia e bërë në Heidelberg, Prill 1964 nga Jeremy J. Shapiro, në Max Weber-Dita e sociologjisë. Horkheimer është përpara majtas, Adorno përpara djathtas, dhe Habermas është në sfond, djathtas, duke kaluar dorën nëpër flokët e tij. Siegfried Landshut është në sfondin e majtë.

Bashkautorët e Shkollës së Frankfurtit, nuk është se kritikën e tyre e ndërtojnë mbi iluminizmin e shekullit të XVIII, por ndaj kulturës moderne.

Ata synojnë që Iluminizmin ta ç’mitizojnë nga miti i arsyes, dhe t’ia rikthejnë potencialin kreativ të tij, dhe se krejt misioni iluminist në fakt ishte krijuar pikërisht për të gjitha llojet e ç’mitizimit, përfshirë edhe instrumentin ç’mitizues, që është mendja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore