Kosova

Bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal


Gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në Ministrinë e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, të premten e tetë tetorit është pritur shefi i shtabit të përgjithshëm i forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Mbrojtjes, ka bërë të ditur se bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Maqedoni e Veriut, është me rëndësi shumë të madhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal si dhe me gjerë.

Gjurchinovski, fillimisht u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe më pas u prit në takim nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri Mehaj, vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it dhe misionet tjera në kuadër të NATO-s.

Përveç kësaj, ai vlerësoi edhe bashkëpunimin e deritashëm ushtarak mes dy forcave, me besimin se do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

Gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Pas takimit me ministrin Mehaj, gjenerallejtënant Gjurchinovski është pritur në zyrën e komandantit të FSK-së, gjeneral Ramës, ku pas takimit ata diskutuan edhe nivel të dy delegacioneve.

Gjatë këtyre takimeve u vlerësua lart bashkëpunimi ushtarak ndërmjet forcave të të dy vendeve duke diskutuar për konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral.

Me theks të veçantë u diskutua nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe stërvitjes të dy forcave.

Më pas, gjeneral Gjurchinovski dhe delegacioni i tij vizituan kazermën e FSK-së në Pomozatin, respektivisht Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në kërkim-shpëtim.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit në mes ministrive të mbrojtjes së dy vendeve.

Gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore