Tanët

Ekipi olimpik i xhudos nga Kosova mëson shortin në Lojërat Olimpike


Ekipi Olimpik i xhudos nga Kosova, ka mësuar shortin e garave që nisin të shtunën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Të pesë xhudistët e Kosovës, të cilët janë me normë olimpike do të synojnë medalje në Tokio.

Xhudistët nga Kosova janë: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova.

Për shkak të masave anti-COVID, shortin e ka ndjekur vetëm trajneri Driton Kuka, i cili është optimist se garuesit e tij do të vazhdojnë tutje edhe pas raundit të parë.

“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.

Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.

Derisa në raundin e dytë do të përballet me fituesen e luftës mes brazilianes Gabriela Chibana dhe garueses nga Malavia, Harriet Bonface.

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi do të garojë në raundin e parë më 25 korrik, ku do të takohet me hungarezen Reka Pupp, në kategorinë deri në 52 kilogram.

Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në të dytin, që zhvillohet më 26 korrik, e pret fituesen e luftës mes austriakes Sabina Filzmoser dhe holandezes Sanne Verhagen.

Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës, Loriana Kuka, e cila do të ndeshet më 29 korrik, me fituesen e luftës mes xhudistes nga Kongo, Marie Branser dhe ruses Aleksandra Babintseva.

Ndërsa, kampioni i Evropës, Akil Gjakova, në raundin e parë do të përballet me xhudistin nga Jemeni, Ahmed Ayash më 26 korrik.

Para hedhjes së shortit, me nga një fjalë rasti janë drejtuar presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, si dhe drejtues tjerë të federatës dhe vendit mikpritës, ndërsa në prezantimin e kategorive, nuk kanë munguar pamje të xhudistëve kosovarë, të cilët janë vlerësuar lartë për potencialin që kanë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore