Sport

Kosova e vajzave e nis me fitore në arenën ndërkombëtare – Trajneri Fidan Shatri flet për Albanian Post


Kombëtarja A e Kosovës në basketbollin e vajzave

Ekipi A i vajzave të Kosovës me fitoren përballë Qipros në kuadër të kualifikueseve për Evropianin e shteteve të vogla debutoi në arenën ndërkombëtare.

Ndeshja ishte shumë emocionuese, me përfaqësueset dardane që arritën fitoren në sekondën e fundit.

“Entuziazmi pas fitores ishte i lartë”, thotë Fidan Shatri, trajneri i përfaqësueses.

Në një intervistë për Albanian Post, ai deklaron se “ndihemi shumë mirë pas fitores”.

“Ishte ndeshja e parë dhe fitorja e parë në arenën ndërkombëtare”.

Ai shton që takimi i parë ka qenë shumë i rëndësishëm për ta dhe “për basketbollin e Kosovës”.

“Shpresoj shumë se do të vazhdojmë me fitore”.

Për të arritur këtë sukses u desh angazhim i pashoq nga Federata e Basketbollit, por edhe nga Ministria e Sportit.

“Është bërë punë e madhe nga Federata që të arrijmë në këtë pikë”, u shpreh trajneri.

“Normal që punë për të ardhmen ka shumë, por shpresoj që edhe klubet do të bëjnë punë shumë më të madhe, sepse përfaqësuesja është e të gjithëve”.

Sa i përket Ministrisë së Sportit, Shatri thotë që “ata kanë ndihmuar vazhdimisht basketbollin e Kosovës” dhe shpreson që kështu do vazhdohet.

Suksese si kjo fitore me Qipron, përfaqësuesen e kanë bërë shumë të dëshiruar.

“Interesimi është i madh”, konfirmon Shatri.

“Kujtojmë se kjo është hera e parë që Kosova A garon në arenën ndërkombëtare”.

Ai shton që shumë nga basketbollistet luajnë për herë të parë me Kosovën A, pasi më parë kishin përfaqësuar kategoritë e moshave, nga U14 deri në U20.

“Për ato që luajtën dje, kjo është një ëndërr e realizuar dhe motiv shtesë për të gjithë vajzat e tjera që ëndërrojnë të veshin fanellën e Kosovës”.

“Në skuadër kemi shumë basketbolliste të talentuara, të cilat do të jenë e ardhmja e Kosovës”.

Për fund, trajneri thotë që e ardhmja ka shumë sfida dhe kërkon shumë punë, por atmosfera momentale është shumë e mirë.

“Shpresojmë që në këtë kampionat të vazhdojmë me rezultate pozitive”.

“Në basketbollin femëror të Kosovës mbetet ende shumë punë dhe nevojitet që të gjithë të angazhohen në nivelin e tyre më të lartë”.

“Klubet, trajnerët, lojtarët, të gjithë duhet të punojnë që basketbolli femëror të përparojë edhe më tutje”, dhe ky përparim, sipas Shatrit, do të ndihmohet shumë meqë basketbollistet do të jenë pjesë e Ligës së përbashkët Kosovë – Shqipëri, e emërtuar tashmë si Liga Unike.

Fillimi i mbarë është gjysma e punës, dhe Kosova e vajzave, pa dyshim që e ka nisur në mënyrë shumë të mirë rrugëtimin e në nivelin ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore