Lajme

Kosovë: “Sinjalizo” korrupsionin


Iniciativa Kundër Korrupsionit (RAI) ka organizuar një performancë kundër korrupsionit me moton “Sinjalizo”.

Shkatërrimi i parave me anë të një makinacioni është simbolika e fushatës e cila shpërfaq realitetin se si korrupsioni shkatërron edhe vet paranë.

Kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për 14 orë rresht në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kjo përformancë synon tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve dhe institucioneve ndaj dëmit që korrupsioni i shkakton shoqërisë, në mënyrë që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të sinjalizojnë korrupsionin.

Kampanja “sinjalizo” është pjesë e një kampanje e mbështetur nga Bashkimi Evropian që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli në fjalën e tij në konferencë për media ka thënë se ky aktivitet ka për qëllim sensibilizimin për sinjalizim të korrupsionit.

Ai tha se në vitin 2019 ka hy në fuqi edhe ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ku ky ligj mbron sinjalizuesit gjë që s’ka qenë praktikë më parë në vend.

“Është temë e re, Agjencia Kundër Korrupsion ka krijuar një divizion për mbrojtjen e sinjalizuesve… qëllimi është që sinjalizuesit duhet t’i ndjekin të gjitha procedurat ligjore”.

Më tej Havolli tha se janë duke u marr me trajnimin e sinjalizuesve në institucionet publike se si duhet vepruar gjatë raportimeve të rasteve.

Ai bëri me dije se në vitin 2019 kanë qenë 5 raste të sinjalizuesve të jashtëm, aq sa kanë qenë edhe në vitin 2020. Por, në vitin 2021, deri në këtë periudhë kohore Havolli tha se janë duke trajtuar 4 raste të sinjalizuesve të jashtëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore