Përballje

Kombëtarja e Kosovës ndryshon dy kundërshtarët për ndeshjet miqësore të qershorit


Federata e Futbollit të Kosovës nëpërmjet faqes zyrtare, ka bërë të ditur se ka ndërruar dy rivalët për ndeshjet miqësore të muajit qershor.

FFK bënë të ditur se ndeshja miqësore me Kazakistanin, e paraparë të zhvillohet më 4 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, është anuluar për shkak se qeveria e Kazakistanit nuk e ka lejuar kombëtaren e këtij vendi të udhëtojë në Kosovë.

Andaj, në këtë datë, Kosova do të zhvillojë një miqësore kundër Maltës në Austri.

Ndërkohë, miqësorja tjetër e paraparë për t’u zhvilluar në Antalia më 8 qershor kundër Komorosit, do të zëvendësohet me Guinenë, pasi Komorosi për shkak të restrikcioneve për hyrje në Turqi si pasojë e Covid-19, e ka të pamundur të udhëtojë në këtë datë në Antalia.

Ndërsa, kujtojmë që Dardanët gjatë muajit qershor do t’i zhvillojnë katër ndeshje miqësore.

Fillimisht më 1 qershor Kosova do të përballet me San Marinon në “Fadil Vokrri”, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën.

Pas Austrisë, Dardanët do të udhëtojnë në Antalia për të zhvilluar edhe dy ndeshjet e tjera, me Guinenë më 8 qershor, pastaj tre ditë më vonë do të luajnë me Gambinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore