Lajme

9 maji festë zyrtare vetëm në Kosovë e Luksemburg


Edhe pse zyrtarisht nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, ka më shumë se një dekadë që kur Kosova e shënon dhe feston Ditën e Evropës.

Përveç tryezave të cilat temë kryesore kanë Kosovën dhe rrugëtimin e saj evropian e organizimeve të ndryshme kulturore, administratat e institucioneve vendore pushojnë së punuari.

Kosova vërtetë është shteti më i ri në kontinentin evropian, por njëherit edhe i vetmi vend në këtë hapësirë gjeografike që për 9 maj marrin pushim nga angazhimet e obligueshme institucionale.

Këtë vit kjo festë i ka rënë ditën e martë, pra ditë pune, por përveç administratës shtetërore, nuk punojnë as shkollat apo universitetet, e gjithashtu as shumë qendra mjekësore të nivelin primar.

Përveç Luksemburgut që këtë festë e ka vendosur si shtetërore në vitin 2019, meqë në këtë shtet funksionojnë administratat e shumë institucione të BE-së, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që 9 majin e ka në listën e festave zyrtare, edhe pa qenë vetë anëtare e BE-së.

Aktivitetet që zhvillohen për Ditën e Evropës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ata të cilët vërtetë e festojnë këtë festë, kanë organizuar disa aktivitete.

Në orën 11:30, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të zbulojë Muralin e Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Në orën 12:00, do të marrë pjesë në masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe në orën 18:00 do ta hapë ekspozitën “Vala tjetër”. Ndërsa, në ora 20:00, ai do ta hapë Koncertin e Chopin Piano Fest të Ditës së Evropës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Si u caktua shënimi i 9 majit?

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore