Lajme

80 mijë izraelitë u mblodhën në Jerusalem për të protestuar kundër ndryshimeve në gjyqësor


Më shumë se 80 mijë njerëz u janë bashkuar protestave kundër rishikimit të planifikuar të qeverisë jashtë Knesset-it në Jerusalem këtë të hënë të 13 shkurtit.

Shifra bazohet në një kombinim të statistikave zyrtare, masës së tokës së zënë dhe dendësisë së protestave, të përllogaritur nga “Haaretz”.

Megjithatë, organizatorët pretendojnë se shifra i kalon 100 mijë protestues.

Sakaq, protesta vjen si pjesë e një greve mbarëkombëtare për të protestuar kundër planit të qeverisë për të imponuar ndryshime gjithëpërfshirëse në gjyqësor.

Stacionet e trenit anembanë vendit u mbushën teksa demonstruesit u përpoqën të arrinin në kryeqytet.

Hekurudhat e Izraelit shtuan disa trena në Jerusalem për të përballuar kërkesën, por kompanitë e autobusëve nuk e rritën shërbimin pavarësisht fluksit të pritur të protestuesve.

Qindra startup-e teknologjike, firma ligjore dhe kompani të tjera të sektorit privat lejuan punonjësit e tyre t’i bashkoheshin grevës mbarëkombëtare, me autobusë që i sillnin në kryeqytet.

Kurse mijëra të tjerë shkuan drejt Jerusalemit me makinat e tyre.

Disa dhjetëra demonstrues recituan lutje – duke përfshirë lutjen për shtetin e Izraelit – dhe kënduan këngë duke valëvitur flamujt izraelitë dhe flamujt e krenarisë.

Teksa mijëra mjekë dhe profesionistë të shëndetit mendor iu bashkuan grevës, mijëra prindër dhe studentë marshuan në Tel Aviv, duke bllokuar rrugët kryesore në qytet për disa orë.

Dhjetëra drejtorë të shkollave fillore në Tel Aviv kishin thënë se do të lejonin që fëmijët dhe mësuesit të bëheshin pjesë po ashtu.

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid iu drejtua protestuesve në Jerusalem, shumë prej të cilëve mbanin flamuj izraelitë, dhe u zotua se “nuk do të qëndrojmë të heshtur teksa ata shkatërrojnë gjithçka që është e çmuar dhe e shenjtë për ne”.

Kurse udhëheqësi i Unitetit Kombëtar Benny Gantz u ka thënë protestuesve se “nuk do të lejojmë që shoqëria të shembet nga brenda dhe Netanyahu”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ishte në Tel Aviv gjatë protestave, duke zhvilluar bisedime për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, kryetarja e Partisë Laburiste, Merav Michaeli, përsëriti kundërshtimin e saj ndaj zhvillimit të negociatave me koalicionin mbi propozimet e këtij të fundit për rishikimin e gjyqësorit.

Ajo u zotua të zgjerojë protestat derisa të sigurohet drejtësia, duke shtuar se “nuk do t’i lëmë të marrin demokracinë tonë”.

Protestat e Jerusalemit dhe protestat e njëkohshme në qytete të tjera përkonin me raundin e parë të votimit të legjislacionit në një seancë të stuhishme që pa një numër ligjvënësish të opozitës të larguar fizikisht nga salla.

Paneli e avancoi legjislacionin një ditë pasi presidenti Isaac Herzog bëri një lutje të rrallë për diskutim dhe kompromis mbi planin dhe ofroi një propozim prej pesë pikash për negociatat mbi ndryshimin gjyqësor.

Herzog paralajmëroi se vendi ishte në prag të “kolapsit shoqëror dhe kushtetues” dhe u kërkoi përkrahësve të të dyja palëve që të përmbahen nga dhuna, veçanërisht kundër nëpunësve publikë dhe zyrtarëve të zgjedhur.

Nga ana e tij, lideri i protestës Moshe Ya’alon ka thënë se e konsideronte propozimin e kompromisit të tij “zhgënjyes”.

Pak çaste përpara se të dilte në skenë për të adresuar protestën e Jerusalemit, Ya’alon ka thënë se fjalimi i Herzogut nuk arriti ta ankoronte bisedën në parimet e Deklaratës së Pavarësisë së Izraelit.

Rishikimi ligjor, i avancuar nga ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe i mbështetur nga Netanyahu, do t’i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi emërimin e gjyqtarëve, duke përfshirë Gjykatën e Lartë, do të kufizonte ashpër aftësinë e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar legjislacionin dhe do t’i mundësonte Knesset-it të ripërtërijë ligje që gjykata arrin të anulojë me një shumicë prej vetëm 61.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore