Lajme

70 ushtarëve gjermanë në Kosovë, u vazhdohet mandati edhe për një vit


Qeveria gjermane ka marrë vendim që tua vazhdojë mandatin ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë, edhe për një vit.

Me këtë vendim i cili u morr të mërkurën, 70 ushtarët gjermanë të cilët janë duke shërbyer në KFOR do të qëndrojnë në Kosovë edhe një vit më shumë.

Aktualisht numri i ushtarëve është simbolik, por ai mund të rritet sipas nevojës, ka raportuar Bahri Cani, gazetar nga Deutsche Welle, për RTK-në.

“Ndonëse Gjermania mund të dërgojë në afat të shkurtër në Kosovë, deri 400 ushtarë në rast nevoje”, tha Bahri Cani.

Sipas tij, vazhdimin mandatit të ushtarëve të saj në Kosovës, qeveria gjermane e ka arsyetuar me tendosjen e situatës sidomos në veri të vendit.

“Në shpjegimin e autoriteteve gjermane thuhet se vazhdimi i mandatit është i një interesi të madh strategjik, në veçanti nga perspektiva e agresionit rus në Ukrainë”, u shpreh C ani.

Ai shpjegoi se sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, Gjermania e shikon si një çështje të interesit gjeostrategjik.

“Megjithatë, ky vendim i qeverisë duhet të konfirmohet dhe në Bundestag në javën që vjen”, tha ai, ndonëse Cani sqaroi se kjo konsiderohet më shumë si diçka formale, sepse vendimi tashmë është marrë.

Në lidhje me këtë ai sqaroi se vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë e mbështesin jo vetëm partitë në pushtet, si socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët, por edhe unioni CDU/CSU në opozitë.

“Kundër vazhdimit të misionit janë partitë e majta dhe Alternativa për Gjermanisë, AFD. Por këto parti nuk kanë fuqinë e pengimit, prandaj vazhdimi i misionit ushtarak gjerman në kuadër të KFOR-it mund të konsiderohet si punë e kryer”, tha ai.

Në këtë rast, për dallim nga misionet e tjera të ushtrisë gjermane, misioni ushtarak i saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë është pa kufizim kohor, ndonëse  duhet që të konfirmohet çdo vit.

Ky mision llogaritet të jetë më i gjati i ushtarëve gjermanë jashtë territorit të tyre.

Aktualisht misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO në Kosovë ka rreth 3 mijë e 800 pjesëtarë, nga 27 shtete të ndryshme.

Në fillim të tij në qershor 1999, KFOR-i numëronte rreth 40 mijë ushtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore