Kosova

7 milionë euro ka sekuestruar Policia e Kosovës në luftë kundër korrupsionit


Samedin Mehmeti, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Në luftë kundër krimit të organizuar, Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi shtatë milionë euro.

Kështu ka treguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili të premten raportoi në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

“Në aspektin e luftimit të krimit të organizuar janë konfiskuar 7 milionë 496 mijë 568 euro, 181 mijë e 63 dollarë, 21 mijë e 120 franga zvicerane dhe 60 mijë e 160 denarë të Maqedonisë së Veriut”.

“Po ashtu janë konfiskuar 133 vetura, pesë shtëpi, shtatë banesa, një lokal, një garazh dhe 29 toka – patundshmëri” tha Mehmeti.

Në muajt e parë të vitit 2021, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi 50 mijë raste, pre të cilave 30 mijë janë vepra penale, ndërsa 20 mijë janë klasifikuar si kundërvajtje, ka njoftuar Mehmeti.

Shefi i Policisë së Kosovës ka thënë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 280 protesta dhe tubime të ndryshme.

Ndërsa në luftën kundër narkotikëve, janë sekuestruar 3 kg heroinë e mbi 500 kg substancë narkotike kokainë.

“Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka ndaluar mbi 5 mijë persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në akte të ndryshme kriminale. Po ashtu janë arrestuar mbi 15 mijë persona”, tha Mehmeti.

“Gjatë kësaj kohe janë regjistruar 280 protesta dhe tubime të ndryshme. Në luftën kundër narkotikëve, janë sekuestruar 3 kg heroinë, mbi 500 kg substancë narkotike kokainë”, tha tutje ai.

Duam Polic që dinë Gjuhë Shqipe dhe Matematikë

“Emri i kryeqytetit a shkruhet ‘Prishtinë’ apo ‘Prishtina’, kjo ka qenë një nga pyetjet për kandidatët që iu nënshtruan testit me shkrim për kandidatët duan të bëhen polic”, ka treguar Drejtori i Policisë së Kosovë, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Pas pyetjes nga Kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, se kishte shumë ankesa për testim të vështirë me shkrim.

Mehmeti tha se janë të interesuar që brenda Policisë së Kosovës janë të interesuar që të kenë zyrtarë që dinë të shkruajnë mirë gjuhën shqipe dhe që dinë gjërat bazike në lëndën e matematikë, pasi që ata kanë për të shkruar raporte gjatë identifikimit të rasteve në terren.

Mehmeti shtoi se brenda Policisë nuk kanë trajner të cilët mund t’ua mësojnë shkrim-leximin dhe matematikën zyrtarëve të pranuar.

“Ne kemi trajner të cilët i mësojnë për të gjuajtur me armë të gjata, të shkurtra, rregulla e disiplina të punës, ligjet në fuqi e zbatimi i tyre, por nuk kemi profesorë të Matematikës e Gjuhës Shqipe”.

Ai ka thënë se për përpilimin e aplikacionit janë konsultuar me profesor të fakultetit të Edukimit dhe se konkursi ka qenë për testim të njohurive të përgjithshme.

Mehmeti ka treguar për konkursin që ishte për 250 zyrtarë policorë. Ai ka thënë se në këtë konkurs aplikuan 11.516 kandidatë, ndërsa nga 8000 kandidatë sa i ishin nënshtruar testit vetëm 1000 e kanë kaluar.

“Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve kemi vërejtur se një numër i madh i kandidatëve ka pasur rezultate të kalueshmërisë së shkollimit të mjaftueshëm apo të mirë. Komisioni e ka bërë publikimin e rezultateve dhe nga 8 mijë kandidatë që i janë nënshtruar 1 mijë e kanë kaluar dhe 7 mijë kanë dështuar”.

“Ka pasur dilema se a e kanë kaluar shumë apo pak. Kemi pasur për bazë rekrutimin e vitit 2014 dhe 2018. Më 2014 janë ftuar 19550 kandidatë prej tyre 2881 e kanë kaluar kurse kanë dështuar 15000. Më 2018 numri i kandidatëve ka qenë 16705, e kanë kaluar 3847 kanë dështuar 9 mijë. Më 2021 11291 kanë aplikuat prej të cilëve kanë kaluar 1447”, tha Mehmeti në Komision.

Ai u deklaruar edhe për pohimet se pyetjet e testin kanë qenë të vështira për kandidatët.

Mehmeti tha se pyetjet janë bërë në konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit dhe se kanë qenë të natyrës që mësohen në shkollë fillore dhe të mesme.

“Pas mbylljes së konkursit është themeluar komisioni përgjegjës për mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit. Për hartimin e pyetjeve nga matematika dhe gjuha shqipe ka pasur konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit. Kurse nga fushat e përgjithshme Policia e Kosovës ka themeluar grupin punues që pyetjet të jenë të thjeshta të përgjithshme pa u thelluar në njohuri akademike, pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore apo të mesme. Në këtë test me shkrim janë hartuar 6 mijë pyetje. Testi është përbërë nga 100 pyetje, dhe ishte koha 2:30 orë”, tha ai.

Urdhri operativ i Policisë së Kosovës pas luftës Rusi-Ukrainë

Samedin Mehmeti pohoi se pas situatës së krijuar gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë, Policia e Kosovës ka përgatitur urdhrin operativ “Ngritja e vigjilencës, gatishmëria vepruese 2022”.

Mehmeti tregoi se çfarë përmban ky plan, duke treguar se janë shtuar patrullimet e njësive policore në Kosovë.

“Është ngritur niveli i vigjilencës dhe gatishmërisë të të gjitha njësitë policore, plani përmban; patrullime të shtuara, mbledhje të informatave inteligjente, komunikim direkt dhe indirekt me publikun, raportime në kohë të saktë të çdo dukurie apo personi të dyshimtë, kontroll të shtuar të personave dhe automjeteve me theks të veçantë të automjeteve që vijnë nga zonat e ndryshme”.

“Pjesë e planit janë njësitë e specializuara të cilat kanë ngritur nivelin e profesionalizimit të tyre karshi situatave aktuale dhe që mund të paraqiten. Janë duke u realizuar trajnime të ndryshme edhe me ndërkombëtarët”, tha ai.

Policia ka gjetur revole te një nxënës i klasës së tetë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ndër të tjera ka thënë se po gjejnë vazhdimisht sasi droge në çantat e nxënësve dhe njerëzve që sillen rreth shkollave.

Mehmeti nuk ka dhënë informacione se cilës shkollë i takonte nxënësi që i gjetur revolja.

“Jemi duke bërë kontrolle policore nëpër shkolla dhe jemi duke gjetur sasi të vogla të drogës nëpër çanta të nxënësve dhe të njerëzve që sillen rreth shkollave. Tek nxënësi i klasës së tetë kemi gjetur revole”, ka thënë Mehmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore