Lajme

7 humbje jete nga rrëzimi i autobusit në Spanjë


Shërbimet e urgjencës në Spanjë kanë konfirmuar vdekjen e shtatë personave pasi një autobus u rrëzua nga një urë në një lumë në prag të Krishtlindjeve.

Dy persona, duke përfshirë shoferin, u lënduan pasi autobusi që udhëtonte nga Lugo në Vigo ra nga një lartësi prej rreth 30 metra në lum.

Zyrtarët thonë se moti i keq mund të ketë shkaktuar aksidentin.

Ata thonë se shoferi i autobusit ka rezultuar negativ për alkool dhe drogë.

Ekipet e shpëtimit fillimisht përfunduan kërkimin e tyre pranë fshatit Pedre, jo shumë larg kryeqytetit rajonal të Galicisë, Santiago de Compostela, në ditën e Krishtlindjes pasi gjetën gjashtë trupa.

Por ata rifilluan operacionin pasi një pasagjer i mbijetuar tha se një shoqe me të cilën kishte udhëtuar nuk ishte në listën zyrtare të viktimave.

Gruaja nuk ishte raportuar e zhdukur pasi askush nuk e kishte pritur, tha një zëdhënës i policisë së Guardia Civil për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Trupi i saj u pa nga një helikopter në lumë mëngjesin e së hënës.

Shërbimet e urgjencës u alarmuan fillimisht për incidentin nga një shofer që kalonte, i cili u tha atyre se një pjesë e pengesës së sigurisë së urës mungonte.

Vetëm pak minuta më vonë, një nga të mbijetuarit i thirri nga brenda autobusit pasi po mbushej shpejt me ujë.

Kjo ndihmoi ekipet e shpëtimit për të gjetur me shpejtësi vendin e rrëzimit.

Midis atyre në bord ishin njerëz që sapo kishin vizituar të dashurit në një burg në Galicia qendrore, shton AFP, duke cituar mediat lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore