Shqipëria

65 anije peshkimi do të marrin fonde nga projekti IPA


Rreth 65 anije peshkimi nga 230 në total do të bëhen pjesë e projektit të financimeve të Bashkimit Evropian (IPA), për investime në bordin e anijeve të peshkimit.

41 prej tyre ndodhen në portin e Durrësit, 20 në atë të Vlorës dhe 4 në Shëngjin.

Projekti i Bashkimit Evropian mbështet prej disa vitesh zhvillimin e sektorit të peshkimit në vendin tonë.

Fituesit e projektit IPA do të mbështeten me fonde deri në masën 50 përqind për investime në bordin e anijeve të peshkimit, për ndërrimin e motorëve, blerjen e pajisjeve elektronike dhe të ndërtimit të frigoriferëve.

Gjithashtu, për periudhën 2014-2020, IPA ka caktuar një fond prej 639.5 milionë euro për Shqipërinë për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

Nga ana tjetër, Ministrja e Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, gjatë seancës plenare ditën e hënë, i’u bëri thirrje të rinjve të drejtohen drejt sektorit të peshkimit.

Sipas saj, ky sektor është tepër vital dhe i rëndësishëm.

“Ky është një sektor i mirëpaguar, dhe tregu ka nevojë për një personel të kualifikuar në peshkim”, ka deklaruar ndër të tjera Ekonomi gjatë seancës plenare ditën e hënë.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore