Lajme

5 milionë të vdekur nga COVID-19


Pamje nga varrosja e personave të vdekur nga COVID-19, Brazil

Ndërkohë që varianti indian i emërtuar si Delta ka marrë rrjedhën në gjithë botën, shifra e të vdekurve nga COVID-19 ka ndërruar prefiks, duke shkuar në 5 milionë zyrtarisht.

Vaksinat u prodhuan në një kohë rekord, por frika e qytetarëve për t’i marrë dozat, po e lë popullsinë gjerësisht të pambrojtur.

Gjysma e shifrës së madhe të viktimave, është prej pesë shteteve.

SHBA-të, Rusia, Brazili, Meksika dhe India, të marra së bashku rezultojnë në 2.5 milionë vdekje për shkak të virusit.

Për të arritur 2.5 milionëshin e parë, u desh më shumë se një vit. Për të dytin, më pak se tetë muaj.

Pacient i hospitalizuar nga COVID-19

Gjatë javës së fundit, mesatarja globale ditore e vdekjeve ka qenë 8 mijë të tilla. Me një llogari të thjeshtë, çdo minutë në botë vdesin nga COVID-19 pesë persona.

Të dhënat shfaqin edhe shenja pozitive. Numri i vdekjeve, pasi u rrit ndjeshëm në një valë të tretë COVID-i, ka filluar të ulet.

Por, kjo nuk duhet ta gëzojë fort njerëzimin. Fakti është se diçka e tillë ishte e pritshme. Vetë aspekti i imunitetit të tufës që krijohet, e bën vetvetiu kurbën të ulët. Ndërsa numri i vdekjeve, krahasimisht mbetet i lartë për një virus të krahasueshëm me gripin e zakonshëm, por më agresiv dhe ngjitës.

Pamje nga varrosja e personave të vdekur nga COVID-19, Indonezi

Fokusi aktual është që vaksina të shpërndahen edhe tek vendet më të varfra. Në kontinentin afrikan veçanërisht, nevoja për doza kundër virusit është emergjente.

Raste të shtuara po raportohen atje. Rrjedhimisht, edhe vdekje.

Një sfidë globale në agjendën 2030 është cilësuar edhe ajo e vaksinimit masiv, ku shtetet e mëdha kanë marrë zotimin t’i ndihmojnë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore