Lajme

29 patentë shoferë konfiskohen nga Policia e Kosovës për 24 orë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka konfiskuar 29 patentë shoferë në 24 orët e fundit për shkak të shkeljeve të rënda në trafik.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media.

“Gjatë 24-orëshit të fundit nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete me qëllim që të parandalohen e edhe të ndëshkohen ata që nuk kanë përfillur rregullat në trafik, ku mund të veçojmë se për shkelje më të rënda policia ka konfiskuar 29 patentë shoferë drejtuesve të automjeteve”.

Sipas policisë, konfiskimi i këtyre patentave është bërë me qëllim që parandalohen shkeljet e rregullave.

“Policia e Kosovës nuk ka qëllim të vetëm ndëshkimin por parandalimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik, andaj apelon te pjesëmarrësit në trafik që të respektohen rregullat për një siguri edhe më të madhe”, thuhet në njoftim.

Më 1 janar, policia kishte njoftuar se nata e ndërrimit të motmoteve ka kaluar kryesisht e qetë dhe nuk është raportuar asnjë rast apo incident madhor, megjithatë në disa rajone janë raportuar disa incidente të vogla si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

“Nata e vitit të ri ka kaluar kryesisht e qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit”.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se një rast që mund të veçohet është në Prishtinë, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa ndaj të dyshuarit është inicuar rasti si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Angazhimi i Policisë së Kosovës, rritja e prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, sheshe e lokacione të ndryshme, është duke u bërë në kuadër të planit operativ të organeve të rendit, i cili ka pasur për qëllim që festat e fundvitit të përmbyllen pa incidente dhe viti i ri 2024 të fillojë mbarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore