Lajme

Nata e vitit të ri kaloi pa incidente serioze, njofton Policia e Kosovës


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se nata e ndërrimit të motmoteve ka kaluar kryesisht e qetë dhe nuk është raportuar asnjë rast apo incident madhor, megjithatë në disa rajone janë raportuar disa incidente të vogla si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

“Nata e vitit të ri ka kaluar kryesisht e qetë, nuk është raportuar ndonjë rast apo incident madhor, me pasoja fatale, megjithëse në disa rajone janë raportuar disa incidente me lëndime trupore, dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një rast që mund të veçohet është në Prishtinë, ku një plumb bredhës ka goditur një qytetare, e cila është dërguar për trajtim mjekësor dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa ndaj të dyshuarit është inicuar rasti si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Angazhimi i Policisë së Kosovës, rritja e prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, sheshe e lokacione të ndryshme, janë bërë në kuadër të planit operativ të organeve të rendit, i cili ka pasur për qëllim që festat e fundvitit të përmbyllen pa incidente dhe viti i ri 2024 të fillojë mbarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore