Lajme

289 fëmijë vdiqën në Detin Mesdhe në 2023, sipas OKB-së


289 fëmijë humbën jetën në gjashtë muajt e parë të 2023-it duke u përpjekur të arrinin Evropën nëpërmjet Detit Mesdhe, një rritje e konsiderueshme, tha OKB.

Ky numër është dy herë më i lartë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, shtoi Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF), duke bërë thirrje për krijimin e korridoreve të sigurta humanitare që do t’i lejojnë fëmijët të strehohen në Evropë.

“Numri i fëmijëve që humbën jetën duke u përpjekur të kalonin Detin Mesdhe për në Evropë u dyfishua në gjysmën e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha shefja e UNICEF-it për Migracionin dhe Personat e Zhvendosur, Verena Knaus. “Ne vlerësojmë se 11 mijë e 600 fëmijë kanë kaluar në atë rrugë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, që është dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022”.

Në tre muajt e parë të vitit 2023, rreth 3 mijë e 300 fëmijë në atë rrugë – që është 71 për qind e numrit të përgjithshëm – ishin të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre, sipas UNICEF.

Kjo është tre herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Këta fëmijë duhet të dinë se nuk janë vetëm. Liderët e gjithë botës duhet të reagojnë menjëherë”, tha Verena Knaus.

Të enjten, eurodeputetët kërkuan miratimin e një “strategjie të sigurt dhe të përhershme kërkimi dhe shpëtimi” për emigrantët në Mesdhe, pasi një anije u mbyt në brigjet greke në mes të korrikut, duke vrarë ndoshta më shumë se 600 njerëz, shkruan “AFP”.

Nga anija me rreth 750 persona u shpëtuan vetëm 104 pasagjerë, theksojnë eurodeputetët. U gjetën 82 trupa, ndërsa pjesa tjetër supozohet të vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore