Lajme

27 viktima nga një shpërthim zjarri në një klub nate në Stamboll


Të paktën 27 persona kanë humbur jetën teksa një zjarr ka shpërthyer në një klub nate në Stamboll që po punohej për riparim.

Kështu raporton agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu, duke cituar autoritetet lokale.

Tetë persona janë plagosur, shtatë nga ata në gjendje të rëndë, ka bërë me dije zyra e guvernatorit të Stambollit.

Po ashtu zyra ka thënë se zjarri filloi në lagjen Besiktas në qendër të Stambollit.

Zjarri ka nisur gjatë rinovimeve në vendin e klubit, i cili ndodhet nën tokë, sipas Anadolu.

Ministri i brendshëm turk ka shkruar në platformën X se tanimë ka nisur edhe hetimi për ngjarjen e rëndë.

Dyshohet se ka ndodhur një shpërthim pranë skenës në klubin e natës të quajtur Masquerade, që ndodhet në katin e poshtëm të pallatit 16-katësh, i cili ishte i mbyllur për Ramazan, teksa po rinovohej.

Teksa zjarri u përhap, klubi dhe ndërtesa u mbushën me tym. Ata që ndodheshin në atë kohë në klub dhe në godinë ishin të bllokuar brenda.

Pas njoftimit, në vendngjarje janë dërguar shumë zjarrfikëse, ambulanca dhe ekipe mjekësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore