Lajme

25 vjetori i bombardimeve të NATO-s, zëvendës-ambasadorja britanike në OSBE: Fushata s’ishte kundër popullit serb


Ilustrim

Zëvendës-ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Deirdre Brown, ndërsa ka përkujtuar 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ka cituar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke përkrahur deklaratën e tij se fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 nuk ishte kundër popullit serb.

“Fushata duhej t’i jepte fund abuzimeve në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë, me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë rajonale dhe evropiane”.

Në mbledhjen e radhës së OSBE-së, zëvendës-ambasadorja Britanike ndërsa ka krahasuar Kosovën e tanishme me atë të vitit 1999, ka potencuar se Kosova ka bërë hapa të mëdha përpara.

“Ne jemi krenarë për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e progresit të saj”.

Ashtu si partnerët e tjerë të NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, sipas Brown, po punon për të ndërtuar partneritete largpamëse me Serbinë, Kosovën dhe vende të tjera në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për dialogun, Brown u ka bërë thirrje si liderëve në Kosovë ashtu edhe në Serbi që t’i zbatojnë angazhimet e tyre të cilat burojnë nga procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Bëjmë thirrje liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë angazhimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të tyre dhe për të ofruar të ardhmen paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë që qytetarët e tyre meritojnë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore