Lajme

23 vjetori i kthesës historike në Prekaz


Ishte fshati Prekaz, pika e koncentrimit të sulmit të gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë.

Ngjarjet në fillimet e marsit të vitit 1998, ishin një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik se si në Kosovë u zhvilluan masakra të tipit makabër.

Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit e kishte ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore.

Në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo ka lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Pikërisht sot, më 5 mars u bënë 23 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Me rastin e kësaj dite homazhet janë rituale që shumë nga figurat politike të Republikës së Kosovës i bëjnë për çdo vjet në Kompleksin Memorial, në Prekaz të Skenderaj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj i shoqëruar nga bashkë partiakët, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Sipas Hoxhaj, mbajtja e krerëve të UÇK-së në Hagë është dëshmi që ende s’ka përfunduar sakrifica për liri.

“Mbajtja e krerëve të UÇK-së  para gjykatës tregon që ende nuk ka përfunduar sakrifica jonë mbi lirinë, dhe jemi të sigurt që ata do kthehen personalisht për të vendosur lule para familjes Jashari dhe do ta mbrojnë lirinë siç kanë bërë deri më tani” është shprehur ai para medieve.

Më tej, ai nuk ka hezituar të shpreh krenarinë e tij mbi sakrificën që familja Jashari bëri për lirinë e vendit.

“Me 5 mars të vitit 1998 fitoj guximi mbi frikën, liria mbi okupimin, fitoj Kosova mbi Serbinë. Më 5, 6 dhe 7 mars fitoj familja e Jashari, dhe me këtë atdhedashuri jemi sot këtu” përfundoi Hoxhaj.

Bashkë me Hoxhaj, për homazhe në Kompleksin Memorial të Jasharëve, ka shkuar edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Në një intervistë të shkurtër për Euronews Albania, Lushtaku rrëfeu versionin e tij në lidhje me këtë ngjarje të trishtë.

“Një ditë e dhimbshme, e trishtueshme, por edhe krenare për vetë faktin që nga marsi filloi gjithçka që të rilindë në Kosovë”, u shpreh ai.

Miqësia e tij me Adem Jasharin e bëri që lajmi për shuarjen e familjes Jashari, të ishte edhe më i rëndë.

“Unë kam qenë shok me Adem Jasharin, isha rrugës duke ardhur nga Gjermania. Nuk e besoj që në jetën time e kam pasur më të vështirë sesa ato ditë”, shtoi Lushtaku.

Sipas, Sami Lushtakut, përgjegjës për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë është policia dhe shteti i Serbisë.

Tutje, ai theksoi se “një pjesë e trupave të shqiptarëve janë nëpër Serbi dhe në lumin Danub”.

Sa i përket hetimeve për masakrat në Kosovë, Lushtaku tha se është bërë padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve.

“Institucionet e Kosovës janë të dobëta dhe ne jemi të varur nga ndërkombëtarët”, përfundon Lushtaku.

Traditës për homazhe në vendin ku prehen 56 trupat e familjes Jashari, i’u bashkëngjit edhe pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

“Jemi në vendin e shenjtë – Prekaz. Bëjmë nderime te varri ku pushojnë heronjtë tanë. Kjo ditë është me rëndësi për kombin tonë, përplot procese të mëdha të këtij rajoni. Jam i bindur se duke ecur rrugës së tyre do të ecim para”, tha Haradinaj, pas përfundimit të homazheve.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kanë qenë të pranishëm në hapjen e ceremonisë të paradës së Epopesë, e cila u mbajt në kazermën Adem Jashari.

Osmani, ka njoftuar se këtë javë ushtarët e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, do të nisen në misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e garës së IOWA-së.

“Ushtarë të forcës, po e shënojmë sot këtë përvjetor të Epopesë në kazermën Adem Jashari, sepse ai është fryma, ideja shpirti i forcës sonë”, tha ajo.

Më tej ajo shtoi se – “Këtë javë, ushtarakët tanë do t’i përcjellim për misionin e parë paqeruajtës bashkë me forcat e garës së IOWA-së. Ju do ta ndërtoni emrin e ushtrisë sonë krah miqve tanë amerikanë. Ju po bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuuan në paqen globale”.

Kurse, Avdullah Hoti, shprehu mirënjohjet e tij për sakrificën që familja Jashari bëri për Kosovën.

“Adem Jashari dhe anëtarët tij të familjes u bënë emblema e vërtetë e ushtrisë së popullit që para armëve kishin vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund misionit për çlirimin e vendit”, deklaroi Hoti.

Përpos figurave politike, për të bërë homazhe në këtë kompleks memorial ishte edhe shoku i klasës së Hamëz Jasharit, Haradin Meha, i cili mes të tjerash ka rrëfyer takimin e fundit me heronjtë Adem dhe Hamëz Jashari, tri ditë para se ata të vriteshin.

“Kam qenë te shtëpia, janë ndi krismat. Unë i kam marrë armët. Kemi gjujt që mos me ardh policia, kemi gjue sa kemi mujt, ka qenë prej kodre Ahmet Kodra. Më kujtohet si sot ajo ditë.”, ka thënë Meha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore