Shëndet

21-vjeçarja rrëfen sfidat e të qenit me diabet


Ilustrim

Nëntori njihet edhe si Muaji Kombëtar i Diabetit, i cili zyrtarisht fillon me datën 14, e që është caktuar për ndërgjegjësimin rreth këtij çrregullimi shëndetësor që nga viti 1975, sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit (ADA).

I pranishëm si sëmundje, diabeti është edhe në Kosovë, teksa njerëz të shumtë përfshirë mosha të ndryshme, vuajnë nga mos prodhimi i mjaftueshëm i hormonit të insulinës nga pankreasi, duke shkaktuar kështu glukozë të lartë në gjak që ndryshe njihet edhe si – sëmundje e sheqerit.

Mes shumë personash që vuajnë nga kjo sëmundje është edhe një vajzë 21 vjeçe nga qyteti i Vushtrrisë, me inicialet V.P, e cila për Albanian Post tregon që me diabet ishte diagnostikuar që nga vegjëlia.

Ajo rrëfen ditët e para si një fëmijë që kishte zbuluar se kishte probleme me diabet dhe prezantimin e parë me injektimin e insulinës.

Injektimi i insulinës në zonën e barkut.

“Kam qenë 8 vjeçe dhe kisha tharje të theksuar fyti si dhe urinim të shpeshtë. Prindërit më dërguan për kontrollim te mjeku familjar dhe rezultoi të isha me diabet”.

“E di që menjëherë më kanë futur në insulinë dhe aso kohe nuk e dija mirë çfarë po ndodhte, ndjeja dhimbje në krah dhe bark por thjesht kaq”, thotë ajo.

Për 21-vjeçen, sfida e të ballafaquarit me një sëmundje të tillë si diabeti, ishte rritur me kalimin e kohës, ndërsa po kalonte nëpër fazat e pjekurisë.

Ajo pohon se një frikë të të folurit rreth kësaj sëmundjeje e ndjen edhe tash, pas kaq shumë vjetësh, dhe shkas për këtë thotë të jetë “paragjykimi i njerëzve karshi diabetit”.

“Gjërat filluan të ndryshojnë. Një lloj frike të cilën akoma e ndjej, më ndalon të rrëfehem rreth kësaj sëmundje që kam me njerëzit përreth meje, që mbi të gjitha nuk ishte një zgjidhje e imja”.

“Njerëzit në Kosovë gjykojnë, të quajnë ‘e sëmurë’ dhe të largohen nëse ju tregon që je me diabet, e kam provuar dhe kam pësuar.”, thotë ajo duke mos zbuluar në detaje problemet me të cilat është ndeshur.

Duke u rritur, e reja nga Vushtrria, kishte kërkuar shërim për sëmundjen e diabetit. Por, ngaqë e njëjta vuan nga diabeti i tipit 1, një gjë e tillë ka rezultuar e pamundur.

Ajo thotë të ketë bërë udhëtime të shumta për konsulta mjekësore në plot vende të Ballkanit dhe më tej.

“Jam kontrolluar kudo, në Prishtinëm Tiranë, Shkup dhe Beograd. Kam qenë edhe në Turqi dhe Suedi, por kudo që kam shkuar, rezultatet dhe këshillat ishin pothuajse të njëjta”, tregon ajo.

Të pranuarit e realitetit se ajo po vuante nga një sëmundje, për të cilën duhet të mjekohet gjatë gjithë jetës, t’i vëj vizën e kuqe ushqimeve të shumta si dhe të ketë kontrolle të rregullta mjekësore ishte një proces jo lehtë i arritshëm.

Por, ajo thekson se tanimë ka arritur në atë shkallë të vetëdijësimit dhe e ka pranuar se është pjesë e një grupi të gjerë të personave të diagnostikuar me diabet. Vetëm se një problem të tillë ajo dëshiron ta mbajë si diçka personale, duke refuzuar ta ndajë me të tjerët.

“Rruga për deri tek ‘mindseti’ që kam sot nuk ishte aspak e lehtë, kam kaluar në shumë sfida, që në fund të fundit më bënë edhe më të fortë si person”.

“Pas kaq shumë vitesh, tashmë jam ambientuar me diabetin. E kam pranuar si pjesë të përditshmërisë sime dhe jetoj e qetë. Gjithçka që dua është privatësia ime. Dikur mbase e ndjeja nevojën të flisja me njerëzit rreth kësaj teme, por sot jo. Jam mirë dhe e fortë sa për ta kaluar vetë”, thotë ajo.

E pyetur nëse është e kënaqur me kushtet që shteti i Kosovës ofron për personat të cilët janë të diagnostikuar me diabet, ajo thotë – “Duke qenë se qëndroj mirë financiarisht, ndoshta nuk di edhe mirë ta vlerësoj këtë. Kontrollimet i bëj tek doktorët privatë, por vlen të theksohet që furnizohem me insulinë rregullisht dhe nuk kam hasur në probleme”.

Për fund, V.P nga Vushtrria, ka një porosi për të gjithë lexuesit e Albanian Post.

“Do të doja shumë që njerëzit të lexonin më tepër rreth diabetit, të informoheshin rreth tij dhe të mos paragjykonin të tjerët që vuajnë nga kjo sëmundje”.

“Ndërsa, për të gjithë ata që tashmë janë diagnostikuar me diabet, ju them të bëheni të fortë dhe ta pranoni, sepse këto janë opsionet e vetme që keni. Vazhdoni të jetoni si të gjithë të tjerët, duke ngrënë shëndetshëm dhe duke u kujdesur që sheqeri në gjakun tuaj të qëndrojë brenda suazave të normales”, përfundon ajo.

Përndryshe, diabeti është një sëmundje që shfaqet kur glukoza në gjak, e quajtur edhe “sheqeri në gjak”, është shumë e lartë. Glukoza në gjak është burimi juaj kryesor i energjisë dhe vjen nga ushqimi që hani.

Insulina, një hormon i prodhuar nga pankreasi, ndihmon glukozën nga ushqimi të hyjë në qelizat tuaja për t’u përdorur për energji.

Por, ndonjëherë trupi juaj nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, duke bërë që glukoza të qëndrojë në gjakun tuaj dhe të mos arrij në qelizat tuaja.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore