Shqipëria

2.5 milionë euro për “Sarajet e Toptanëve”, miratohet fondi i shpronësimit të pronarëve


Pronarët e godinës historike “Sarajet e Toptanëve” do të kompensohen me rreth 300 milionë lekë ose 2.5 milionë euro.

Ka qenë Agjencia Shtetërore për Shpronësimin që ka shpallur kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga “Projekt restaurimi dhe muzealizimi i ish-banesës së Toptanasve”.

Subjekti kërkues i këtij projekti është Ministria e Kulturës.

“Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilët do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur”, ka njoftuar agjencia.

Këtë, bazuar në vendimin nr.89, datë 3.2.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, për pasuritë e llojit “truall”.

Por edhe bazuar në vendimin nr. 138, datë 23.2.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe të përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive pronë private  që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të  të  drejtave  të  personave të tretë, për interes publik, për pasuritë e llojit “ndërtesë”.

Referuar njoftimit, vlera totale paraprake e shpronësimit është “treqind e shtatë milionë e pesëqind e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë pikë tre lekë”.

“Sarajet e Toptanëve” u shpronësuan me 22 tetor me qëllimin për t’u shndërruar në një muze për qytetin e Tiranës për të evokuar traditën si dhe historinë diplomatike të vendit.

Shpronësimi iu pagua pronarëve me 2.5 milionë dollarë.

Kjo godinë do të rikonstruktohet e do të vihet në dispozicion të qytetarëve, ku do të ketë edhe një librari që do të quhet “American library”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore