Shqipëria

16% e aplikimeve për kredi në Shqipëri, të refuzuara


Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.

Në këtë raport janë trajtuar edhe normat e kredive në Republikën e Shqipërisë.

“Në totalin e aplikimeve për kredi të marra në shqyrtim gjatë kësaj periudhe, rezulton se rreth 16.1% e tyre janë refuzuar nga bankat”, është ky përfundimi i raportit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka, kjo normë ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Por si shpjegohet kjo dukuri?

Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço, në një prononcim për Albanian Post (AP), shprehet se me fillimin e pandemisë u rritën ndjeshëm kriteret për të marrë një kredi, por tanimë këto të fundit po kthehen në gjendjen e mëparshme.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitin 2021, bankat e sistemit raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 66 mijë e 978 aplikime për kredi, ku rreth 7% i përkasin sektorit  të ndërmarrjeve me 3 mijë e 296 aplikime nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe 1 mijë e 616 aplikime nga ndërmarrje të tjera.

Sipas raportit të bankës, 93%  e kredive i përkasin sektorit të individëve me 62 mijë e 83 aplikime.

Numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat ka rënë me 21% në terma gjashtëmujorë.

Banka e Shqipërisë

Muço në arsyetimin e tij e ka cilësuar si një shkak për këto shifra rënien e normës së interesit.

“Por – thotë eksperti – “nuk duhet harruar ndërgjegjësimi i personave që kërkojnë kredi ka ardhur në rritje.

Ai shpjegon se rritja e kreditimit ka efekt të drejtpërdrejtë në ekonominë e një vendi.

“Me rritjen e kreditimin, rriten edhe investimet”, analizon Muço.

Rritja e këtyre të fundit, sipas tij, do të thotë më tepër mundësi punësimi, investimesh dhe rritjeje ekonomike.

Por në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se, ka një ndryshim në dhënien e kredive mes bankave me kapital të huaj dhe atyre me kapital vendas.

“Për bankat me kapital të huaj norma e refuzimit është 21.1% ndërsa për ato vendase kjo normë është më e ulët përkatësisht 8.3%”, shkruhet aty.

Muço shpjegon se, “Bankat e huaja janë më tepër prudenciale, ku kjo ka lidhje me nivelin e riskut të mos kthimit”.

Të gjitha shifrat tregojnë se numri i aplikimeve të shqyrtuar nga bankat në këtë periudhë kohë, tregojnë për një kërkesë në rritje për kredi nga individët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore