Lajme

13 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur


Janë bërë 13 vjet që kur Kosova si shteti më i ri në Evropë, është shpallur shtet sovran me institucione të pavarura dhe me simbole shtetërore.

Mirëpo 13 vjet pas pavarësisë, Kosova ende përballet me disa sfida, qofshin ato të jashtme apo edhe të brendshme.

Duke u cilësuar nga mekanizmat ndërkombëtarë si vend i varfër, i korrupsionit dhe me një sistem jo adekuat të arsimit dhe shëndetësisë, Kosova vazhdon të përballet edhe me probleme të jashtme siç është dialogu me Serbinë.

Mënyra se si Kosova u bë shtet i pavarur

Kushtetuta Jugosllave i pati dhënë Kosovës autonomi në vitin 1974, gjë që u shfuqizua nga regjimi i ish-presidentit serb, Slobodan Miloshoviqit, 15 vjet më vonë.

Mirëpo pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitin 1991 pati filluar një luftë e përgjakshme nga ana e Serbisë, fillimisht në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë e pastaj kjo luftë u përhap edhe në Kosovë më 1998, e cila mori fund në vitin 1999.

Në vitin 2007, Përfaqësuesi Special në Kosovë, Martti Ahtisari, para Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pati prezantuar raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, gjë të cilën Serbia e refuzoi.

Sipas Planit të Ahtisarit dhe Rezolutës 1244 të OKB-së, më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës përmes deklaratës shpalli pavarësinë. Në atë mbledhje nga gjithsejtë 120 deputetë, morën pjesë 109 prej tyre.

Ish-kryeministri, Hashim Thaçi, në Kuvendin e Kosovës lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ndërsa pas votimit nga ana e deputetëve të deklaratës, Kryetari i Parlamentit e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, ku më pas të gjithë deputetët prezent e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, thuhej në atë deklaratë.

Ndërkaq, Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Që nga periudha e luftës së fundit, tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kanë vazhduar në mënyrë intervale.

Procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, pati filluar në vitin 2011, ndërsa në vitin 2018, Kosova i vendosi tarifë prej 100 për qind produkteve të importuara me origjinë serbe.

Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL, si rezultat i fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

Mirëpo, BE dhe SHBA, e kundërshtuan që nga fillimi këtë vendim të Kosovës, dhe i patën bërë thirrje ish- kryeministrit në atë kohë, Ramush Haradinaj, që të shfuqizojë 100  tarifën për qind, gjë të cilën ai nuk e bëri.

Në tetor të vitit 2019, presidenti amerikan, Donald Trump, caktoi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për t’i udhëhequr përpjekjet e SHBA-së, për t’i ndihmuar dy vendeve në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Që nga caktimi i Grenell në këtë detyrë, ai ka kërkuar nga Kosova që ta heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe, ndërsa Serbisë i ka kërkuar ta ndalë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet paqja dhe vendet të ecin përpara ekonomikisht.

Megjithatë tensionet midis dy shteteve fqinje janë ngritur shumë shpesh.

Gjatë vitit 2021 shumica e masakrave të kryera në Kosovë nga Serbia në kohën e luftës së vitit 1999 shënuan përvjetorin e 22-të.

Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike, proces ky që  u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Izraeli është vendi i fundit që bëri zyrtare marrëdhëniet diplomatike bashkë me Kosovën.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore