Përballje

Distria Krasniqi mbetet pa medalje, përfundon e pesta në Kampionatin Botëror


Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka përfunduar në vendin e pestë në Kampionatin Boteror të xhudos, që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Në këtë rast, Krasniqi mbeti pa medalje, pasi që në luftën për medalje të bronztë u mposht nga xhudistja mongoleze Urantsetseg Mokhabatyn falë penalizmit të kosovares me tri shido.

Pas mbi 10 minutash luftë, Krasniqi u mund me tri vërejtje të marra nga gjyqtarët gjë që la të befasuar xhudisten dhe trajnerin Driton Kuka.

Kujtojmë që kjo është hera e parë pas më shumë se tri vitesh që Distria mbetet pa medalje në një garë ndërkombëtare.

Distria Krasniqi në dy raundet e para kaloi pa luftë të zhvilluar, derisa në raundin e tretë e mposhti xhudisten Sabina Giliazovan, kurse në çerekfinale Krasniqi triumfoi ndaj spanjolles Laura Martinez Abelenda dhe në gjysmëfinale ka humbur nga xhudistja japoneze Natsumi Tsunoda.

Kurse, me vendin e pestë, Distria ka fituar edhe 720 pikë tjera olimpike, të cilat e mbajnë kosovaren ende në vendin e parë të klasifikimit botëror në kategorinë deri në 48 kg.

Tani gara e ardhshme e kampiones së tanishme të Evropës, është në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Ndërsa në këtë Kampionat Botëror, të martën do të garojnë Akil Gjakova, Nora Gjakova dhe Flaka Loxha.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore