Kosova

10 policë dhanë dorëheqje për një muaj


Foto nga arkivi.

Nga fillimi i vitit 2024, që kur edhe u liberalizuan vizat për Kosovën, 10 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje përkundër kërkesave të tyre të vazhdueshme për plotësimin e kushteve duke përfshirë rritjen e pagave, sigurimet shëndetësore, rritjen e shtesave për rrezikshmëri dhe sigurimin e pajisjeve të duhura për punë.

Lajmn e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione pasi u pyet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, lidhur me shifrat që posedon sindikata për largimin e policëve që nga liberalizimi i vizave.

“Të gjithë ata që po japin dorëheqje vullnetare po e dëmtojnë shtetin. Për këtë vit s’kemi ndonjë shifër statistika të saktë kemi deri tani rreth 10 pjesëtarë që kanë dhënë dorëheqje. Vetëm sa për kureshtje për të parë se përse zyrtarët policorë po japin dorëheqje, unë e kam siguruar një dorëheqje për t’u njoftuar me arsyet”.

“Disa nga arsyet janë: Paga e pa-dinjitetshme, mos sigurimi i rrezikimit shëndetësor, mungesa e pajisjeve të duhura edhe shumë arsye të tjera”, ka thënë Zeqiri, i cili s’ka zbuluar identitetin e policit që ka dhënë dorëheqje më 30 janar.

Gjatë mbledhjes së komisionit Zeqiri, u shpreh i shqetësuar edhe sa i përket pagave dhe kushteve të punës.

Sipas tij, “ka pasur zbritje të pagave deri në 600 euro”.

Ai ka sqaruar se në peticionin drejtuar pushtetit ata kishin paraqitur të gjitha pakënaqësitë e punonjësve, dhe u është premtuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që në takimin e radhës do të bisedojnë për kërkesat e policëve.

“Peticioni është organizuar nga sindikata për të treguar se sa është e pakënaqur Policia e Kosovës në lidhje me Ligjin e Pagave dhe kushtet tjera. Pas peticionit kemi pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshme dhe jemi dakorduar që në takimin e ardhshëm të bisedojmë e të vendosim prioritetet”.

Ai kërkoi po ashtu që të bëhet Ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë në moshën 55 vjeçare si dhe këta zyrtarë të bëhen me sigurime shëndetësore.

Deri në muajin tetor të 2023, ishte raportuar për 60 pjesëtarë të policisë që kishin dhënë dorëheqje.

Nga Sindikata edhe në atë kohë ishin kërkuar që të merren masa të nevojshme për parandalimin e këtij fenomeni, pra duke ia plotësuar kërkesat që i kanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore