Kosova

60 policë dhanë dorëheqje këtë vit, “ka mungesë të veshmbathjeve”


Pjestare te Policise se Kosoves

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se vetëm këtë vit kanë dhënë dorëheqje 60 pjesëtarë të policisë, teksa ka kërkuar që të merren masa e nevojshme për parandalimin e këtij fenomeni, pra duke ia plotësuar kërkesat që i kanë.

“Policisë së Kosovës do të duheshin që t’i plotësoheshin disa kushte shumë më herët jo vetëm pse ndodhi rasti i fundit, por në realitet PK ka treguar rezultatet dhe suksese në vazhdimësi që nga themelimi”, ka thënë fillimisht ai për “Ekonomia Online”.

“Mirëpo kur jemi të mirëqenia definitivisht është për keqardhje që mungojnë shumë gjëra, dhe jo vetëm shtesa për rrezikshmëri e cila tani më nuk po ekzekutohet që nga implementimi i ligjit të pagave”.

Zeqiri theksoi se është e pa kuptimtë “pse nuk punohet dhe nuk është punuar deri më tani për sigurimin shëndetësorë dhe jetësorë”.

“Kemi pas kërkesa konkrete drejtuar qeverisë, kemi pas edhe plan konkret se si mund të bëhet ajo, vetëm duheshin mjetet. Kjo nuk po ndodhë”.

“Kemi edhe ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare, i cili shpesh herë po përmendet që nuk është ligj i parakohshëm, është ligj në moshën 55 vjeçare. Në këtë moshë, në shumicën e shteteve të botës polici pensionohet”.

Për punën që e kryen polici, Zeqiri duke iu referuar ekspertëve, pohon se e kanë paraparë që deri në moshën 55 vjeçare “mund të jetë i freskët që të t’iu dal zot të gjitha atyre autorizimeve ligjore”.

“Në këtë ligj nuk është vetëm kjo, por zyrtari policor pas përfundimit të karrierës, arritjes së moshës 65 vjeçare, atëherë kur pensionohet është pa pension, merr një pension prej 100 eurove që  nuk është as ndihmë sociale”.

Kjo shumë, ngriti shqetësimin ai, “nuk i mjafton ndoshta shumicës prej tyre as për barna për ilaçe”, duke shtuar se “është vërtet tepër nënçmuese që në fund të karrierës pas gjithë këtyre sfidave t’i jepen vetëm 100 euro”.

Sipas kryetarit të sindikatës, për shkak të mos përmbushjes së këtyre kërkesave, është rezultati i dorëheqjeve vullnetare të policëve. Vetëm përmirësimi i mirëqenies së policëve, ka vlerësuar Zeqiri, mund ta ndal këtë trend.

“Dorëheqje ka pasur vazhdimisht, çdo vit ka pasur dorëheqje, që nga themelimi i policisë kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, mirëpo e irritoj pak, e rriti pakënaqësinë të PK-ja kur u hoq edhe shtesa për rrezikshmëri, duke i pasur parasysh edhe shumë kushte të tjera dhe kemi ardhur në atë pikë sa që kemi dorëheqje diku deri më tani rreth 60 për këtë vit dhe kemi paralajmërime për dorëheqje tjera”.

“Ndoshta gati për çdo ditë kemi nga një dorëheqje që është e tepërt dhe i vetmi parandalim i dorëheqjeve vullnetare është përmirësimi i mirëqenies se PK-së. Dorëheqjet janë bërë shqetësuese, zyrtarët policorë janë të dëshmuar me përvojë dhe profesionalizëm. Prandaj po dëmtohemi, jo vetëm polici, por po dëmtohet edhe vetë shteti”, potencoi.

Ai ka folur edhe për raportimet se ka mungesë të veshmbathjeve tek policët. Ai e pohoi një gjë të tillë, duke thënë se një gjë e tillë po ndodhë për arsye të mosfunksionimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe për shkak të tenderëve.

“Në realitet shkaku i ngecjeve të disa tenderëve, të cilët në njëfarë faze kanë pas kryer të gjitha procedurat e tenderimit, por, për një kohë të gjatë, gati rreth një vit nuk ka funksionuar Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit. Në polici kemi pasur 24 projekte, por ato kanë ngecur për shkak se nuk funksion bordi i OShP-së, mandej kur fillojë të funksionojë disa janë kthyer në pikën zero, disa kanë filluar që të përmirësohen”.

“Ka mungesa, ende nuk jemi mirë me veshmbathje, me uniforma të policëve të rendit, mos të marrim pesën e njësive speciale të cilët janë të kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Por, pjesa tjetër që janë shumica e zyrtarëve policorë ka mungesa të veshmbathjeve e krejt është shkaku i këtyre disa tenderëve që po rikthehen, po refuzohen, s’po ka ofertor kualitativ e shumë probleme të tjera që nuk i dijë detajet”, deklaroi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore