Lajme

1 milion përfitime jashtëligjshëm, akuzohet ish-ministrja


Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Për pesë vjet me radhë ekspertët mjekoligjorë në Kosovë janë kompensuar jashtëligjshëm duke i kushtuar buxhetit plot një milion euro, ka thënë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, gjatë një konference për media.

Ai fajtore e ka bërë ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Sipas Sallahut, pavarësisht se ishte shfuqizuar ligji në vitin 2016, ekspertët mjekoligjorë vazhdonin të kompensoheshin jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për pesë vjet, duke marrë kështu rreth një milion euro.

“Me 6 prill të vitit 2016 ka hyrë në fuqi ligji për mjekësi ligjore. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji ishin fuqizuar ligji paraprak i vitit 2010 dhe udhëzimi administrativ me numër 07-2013 i vitit 2013 që rregullonte mënyrën e kompensimit të punës jashtë orarit të punës dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjor”

Sipas Sallahut edhe pse ligji ishte shfuqizuar dhe pavarësisht faktit që Këshilli Prokurorial e kishte tërhequr vëmendjen e ish ministres Hoxha për kompensimin e jashtëligjshme të ekspertëve mjekoligjorë “e njëjta nuk kishte ndërmarr asnjë veprim në mbrojtje të parasë publike dhe në respektim të legjislacionit”.

Ai ka pohuar se “kjo zbrazësi ligjore ka mundësuar mos transparencë dhe selektivitet nga ana e Këshillit Prokurorial me ç‘rast individ të caktuar e të përzgjedhur  si ekspertë mjekoligjorë janë favorizuar duke u ftuar në ekzaminim e më shumë rasteve mjekoligjore duke përfituar më shumë mjete se sa disa ekspertë të tjerë mjekoligjorë që janë diskriminuar”

Sallahu, më tutje ka treguar se si Ministria ka ndërmarr masa të menjëhershme ku është hartuar drafti i ri i vendimit, i cili bazohet në ligjin në fuqi lidhur me metodën e llogaritjes së tarifave për shërbimin e ofruar në fushën e mjekësisë ligjore.

“Me këtë vendim i cili së shpejti do të hy në fuqi vdes përfundimisht mundësia që të shfrytëzohen të gjitha resurset e Institutit Mjeko Ligjorë dhe në të njëjtin kohë shuma totale për dhënien e mendimit për ekspertiza mjekoligjore të kaloj në xhiro llogarinë e ekspertit mjekoligjor në dëm të këtij instituti”.

Në anën tjetër, akuzave të zëvendësministrit Sallahu, iu është përgjigjur ish-Ministrja e Drejtësisë, Hoxha duke thënë se inicimi i rishikimit të ligjit në fjalë i cili ka qenë pjesë e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit ka ndodhur nga ana e saj qysh në fillim të vitit 2017 mirëpo koha e shkurtër dhe shpërbërja e Kuvendit pas 9 muajve punë e ka pamundësuar ndryshimin e kornizës ligjore.

Ajo, ka treguar se pas saj edhe tre ministra të tjerë përfshirë edhe ministren aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë pasur kohë për të evidentuar zbrazëtirat ligjore, mirëpo sipas saj “asnjë nga ta nuk ka vepruar në këtë drejtim”.

Hoxha, për Albanian Post ka treguar se ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016 ndërsa ajo është emëruar në Ministrinë në fjalë në korrik të vitit 2016.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore