Shqipëria

Të ardhurat neto nga turizmi u rritën me 72% në Shqipëri


Të ardhurat neto nga turizmi në ekonominë shqiptare kanë kaluar një vlerë prej 1.8 miliardë eurosh, duke vendosur kështu një rekord historik dhe duke shënjuar një rritje prej 72% për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022.

Sipas disa statistikave të Bankës së Shqipërisë, të ardhur neto ishin në vlerën 1.84 miliardë euro.

Pra, jo vetëm si perceptim, por edhe në terma reale, viti 2023 ka qenë një vit rekordi turistik në Shqipëri dhe kjo mbështetet edhe nga shifra e 10.2 milionë turistëve të huaj, të cilët e shkelën vendin në vitin e shkuar.

Kjo shifër reflektoi një rritje me 35% në krahasim me vitin 2022.

Teksa, rritje edhe më e madhe pritet në vitin 2024, me shifra që duket të jenë më premtuese që në dy muajt e parë.

Sipas Banës së Shqipërisë,  turistët e huaj shpenzuan gjithsej rreth 4.2 miliardë euro në Shqipëri gjatë vitit 2023. Shpenzimet e turistëve të huaj u rritën me 47% krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, edhe shpenzimet e shtetasve shqiptarë për udhëtime jashtë vendit u rritën gjithashtu me ritme të shpejta. Banka e Shqipërisë i vlerëson këto shpenzime në vlerën e 2.3 miliardë eurove, në rritje me 32% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat finale të Bilancit të Pagesave për vitin 2023 e konfirmojnë rolin gjithnjë e më të madh të turizmit në ekonominë shqiptare.

Të ardhurat nga turizmi në tërësi mbuluan më shumë se 40% të deficitit tregtar në mallra të ekonomisë shqiptare. Turizmi gjithashtu dha kontributin kryesor në përmirësimin historik të ekonomisë shqiptare, me deficitin më të ulët të llogarisë korrente të regjistruar ndonjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore