Kosova

“Më pëlqen kur i shoh shqiptarët duke ikur dhe ma ngroh zemrën kur Serbia i lufton” – diplomati racist i Suedisë që tash po shërben në Kosovë, takohet edhe me Osmanin


Samuel Naumovski Vickius dhe Vjosa Osmani

Ambasada e Suedisë në Kosovë ka angazhuar si pjesë të stafit të saj një person – që së fundmi është takuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani – i cili kishte përdorur gjuhë raciste ndaj shqiptarëve, dhe po ashtu kishte marrë pjesë në marshe naziste të sponsorizuara nga Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Ky person është Samuel Naumovski Vickius, i diplomuar për Shkenca Sociale Ndërkombëtare, i cili para 3 jave u prezantua si pjesë e stafit të ambasadës suedeze në Kosovë.

Në njoftimin që kjo ambasadë e ka bërë për të thuhet se ai do të shërbejë si zyrtar politik, i cili do të raportojë për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, drejtpërdrejt në Ministrinë e Jashtme të Suedisë, me fokus shtesë në komunikim dhe tregti.

Por, Samuel Naumovski Vickius ishte treguar tejet i gatshëm për t’i ofenduar shqiptarët – popullsi shumicë në vendin ku ai aktualisht shërben – sa herë që iu ishte dhënë mundësia.

Njëra nga rastet kur ai kishte përdorur gjuhë urrejtëse ndaj shqiptarëve kishte qenë viti 2014, konkretisht duke komentuar ndeshjen futbollistike në mes të Serbisë dhe Shqipërisë [e luajtur në Beograd], ku huliganët serbë kishin sulmuar futbollistët e kombëtares shqiptare derisa të njëjtit po largoheshin me vrap në zhveshtore pas dhunës që shpërtheu brenda fushës së blertë.

Komentet e tij raciste dhe fyese zyrtari i ambasadës suedeze në Kosovë i shprehte publikisht në platformën X (e njohur më parë si Twitter).

“Më pëlqen sesi shqiptarët ikin të pambrojtur nga arena”, shkruante Naumovski Vickius në llogarinë e tij në X, të cilën tani e ka mbyllur.

Postimi i Samuel Naumovski Vickius.

I njëjti kishte shpërndarë edhe një postimi ku mbështetej dërgimi i ushtarëve serbë në Maqedoni të Veriut, në vitin 2015, në kohën e incidentit në Kumanovë.

“Më ngroh zemrën kur lexoj se Serbia dërgon trupa për të mbështetur Maqedoninë në luftën kundër Shqipërisë!”, shkruhej në postimin që ishte shpërndarë nga zyrtari i ambasadës suedeze.

Postimi i shperndare nga Samuel Naumovski Vickius.

Të njëjtin person, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kishte takuar, madje kishte ngritur dolli më të, në rezidencën e ambasadës suedeze në Kosovë.

Kjo kishte ndodhur më 7 mars, kur presidentja kishte shkuar për të festuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Image
Vjosa Osmani gjate takimit me Samuel Naumovski Vickius.

Ndryshe, Samuel Naumovski Vickius në ato se çfarë ka postuar shpreh përkrahje të hapur për rrymat nacionaliste ekstreme në Maqedoni të Veriut – rrënjët e të cilit janë nga atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore