Lajme

Kurti u bën thirrje komunitetit joshumicë të regjistrohen: Mos ngurroni – jeni vlerë e shtetit tonë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje komunitetit joshumicë që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Kërkesën Kurti e ka bërë përmes një video adresimi të hënën duke e treguar rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë proces.

“Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë”.

“Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë”, thuhet në videon e kryeministrit.

Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit kërkoi nga komuniteti joshumicë që të mos ngurrojnë për regjistrimin në këtë proces.

“Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni!”.

Ai tutje ka thënë se në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit.

“Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore”.

“Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të hënën ka thënë se mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind e të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Procesi zyrtarisht për regjistrimin e popullsisë nisi më 5 prill, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi me shumicë serbe, është thënë se do të bojkotohet e në disa komuna të tjera është kërkuar të shtyhet.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore