Lajme

Gërvalla: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE


Donika Gërvalla dhe Anders Adlercreutz

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të mërkurën, ka takuar ministrin për Çështje Evropiane të Finlandës, Anders Adlercreutz, ku me ç’rast ka theksuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Gjë që u konfirmua me 82 për qind të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në takim, siç thuhet në komunikatë është diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Si dhe sukseset e jashtëzakonshme të Kosovës në ngritjen e standardeve të demokracisë dhe shtetit ligjor, përparimin në ekonomi dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”.

Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga ky i fundit hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhej në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, u shpreh i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Përgjigja është jo, pra jo”, ka thënë shkurt ai.

Në vlerësimin e tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore